Festivali 'Bukë dhe zemër dhe pak kripë' do të fillojë mëngjesin e sotëm në Tiranë. Arkitektë të suksesshëm nga e gjithë bota do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar për zhvillimin e arkitekturës nga e kaluara në të ardhmen.
Arkitektë që nga Spanja, Belgjika, Zvicra, Austria, Japoni, Kanada e Amerikë do të marrin pjesë në këtë festival. Emra si Stefano Boeri, Johan Anrys, Elora Hardy, Steven Holl, Beat Huesler apo Sam Chermayeff, Marco Casamonti, Emre Arolat, Andrea Caputo, Kengo Kuma, do të jenë pjesë e këtij festivali.
I titulluar ‘BREAD and HEART Festival, Bring some salt, please!’, festivali përveç evolucionit të arkitekturës synon të jetë edhe një festë mikëpritëse nga Shqipëria.
Festivali nxit reflektim kritik mbi të kaluarën dhe të tashmen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetet dhe mjedisin tonë. Ky është gjithashtu një rast i rrallë për t’u lidhur, për të ndërtuar ura midis arkitektëve të huaj që formësojnë Shqipërinë dhe publikut vendas.
Aktualisht, mbi 150 ekipe ndërkombëtare arkitekture janë të angazhuara në projekte në të gjithë Shqipërinë, përmes konkurseve dhe komisioneve direkte. Gjithnjë e më shumë arkitektë po shfaqin interes për të punuar këtu, shpesh në bashkëpunim me ekipe lokale.
Gjatë aktivitetit do të ketë edhe shfaqe të disa ekspozitave që do të tregojnë zhvillimin e vendit përmes modeleve arkitekturore, të ndërtuara dhe të pandërtuara, nga konkurset dhe komisionet në Tiranë, bregdet dhe rajone të tjera.
Po ashtu do të ekspozohen edhe projekte individuale të arkitektëve, që mund të shërbejnë për investime të tjera në vend. Gjatë festivalit do të ketë edhe performanca me violonçel live dhe vallëzim, drekë në tarracë dhe darkat e kuruara për të ftuarit sipas traditës.
Ndërkohë, si pasojë e festivalit pritet që të bllokohen edhe disa rrugë në Tiranë nga sot deri nesër në 23:30.
Komente
