Në fshatin Bukmirë të Mirditës vijon tradita e kultivimit të vreshtarisë. Prodhuesit këtë vit e konsiderojne si të suksesshëm teksa problem mbetet tregu i shitjes, teksa i frikësohen faktit se edhe këtë vit prodhim do të kalbet pa u shitur.
***
Mirditë - Njohur si fshati i vreshtave, Bukmira këtë vit shënon prodhime të bollshme në varietetet e ndryshme të rrushit, kryesisht atij të llojit shesh dhe kallmet.
Për prodhuesit tashmë problem mbetet tregu i shitjes përballë prodhimit të bollshëm, ndërkohë që ashtu dhe si më parë dhe këtë vit ata po i frikësohen mbetjes stok të produktit dhe kalbjes së sasive të konsiderueshme të rrushit, teksa kërkohet mbështetje për gjetjen e një zgjidhje me qëllim sigurimin e të ardhurave.
“Prodhimi është i shkëlqyeshëm. Unë kam 3 vite që ia kam Mrizit të Zanave, por ka të tjerë që bëjnë 150 kuintal dhe nuk e kanë shitur, ka pasur raste që është kalbur. Të rinjtë nuk punojnë, kemi mbetur veç të moshuar”, thotë një prodhues.
“Kemi problem me tregun, por na duhet shteti për të na ndihmuar. Ne jemi një vend kodrinor që jep prodhim, ka pasur dhe mbiprodhim. Vit fantastik për vreshtat”, shprehet një tjetër.
Grumbulluesit në zonat përreth thonë se në fshatin me traditë të prodhimit të variteteve të ndryshme të rrushit, marrin një sasi të caktuar të prodhimit, por jo atë totale që prodhohet në këtë zonë.
“Ne grumbullojmë 1500 kuintal rrush që e bëjnë në kantinë. Vendndodhja ku jemi aq na mundëson, kemi dhe vreshtarë përreth. Këtu marrim 400 kuintal rrush kaq kemi mundësi. Zgjidhja është të konsumohet verë made in Albania. Kallmeti ose shesh”, thotë grumbulluesi Anton Prenga.
“S’kemi kontata të mirëfillta, njëra thotë kam takat pak tjetra thotë do marr pak. Nuk është 100 kuintal çdo fermer. Na duhet mbështetja e shtetit për të bërë një kantinë se janë 80 ha vreshta mbi 3 mijë kuintal rrush në total në gjithë Bukmirën”, shprehet një prodhues.
Vetëm 12 kilometër larg Rreshenit, Bukmira është një ndër fshatrat ku prodhimi i rrushit përbën kulturën kryesore në zonën e Mirditës, teksa jane kultivuar rreth 80 hektarë vetëm me vreshtari, prej të cilave prodhohen rreth 3000 kuintal rrush të varieteteve shesh dhe kallmet.
Komente

Gjithmon kjo zonë është me prodhim të lartë përse nuk ngrihet një kantinë për prodhim vere dhe rakie sepse po pimë verat që vijnë nga jashtë që nuk dihet se me çfar bëhen.
Përgjigju