Komentues anonimë të disa rrjeteve sociale kanë shpërthyer në akuza, madje edhe fyerje për Rita Orën.
Disa u bëjnë thirrje autoriteve në Prishtinë t’i heqin titullin honorifik si ambasadore e Kosovës, të tjerë pasi përflasin ‘etjen’ e saj për para, shtyhen në teori konspirative se paska bërë pazar me shovinistët serbë, ka të tjerë akoma që, s’u peshon shumë, i bien shkurt dhe e quajnë të përdalë.
Gjithë kjo histeri ‘patriotike’ shpërtheu ngaqë para dy ditësh, në një festival në Hungari, këngëtarja e famshme u pa tek këndonte me një flamur serb në dorë.
Siç e shpjegoi vet shqiptarja me famë botërore, kjo sekuencë s’ishte veçse një keqkuptim: një fans nga rreshtat e para i kishte hedhur një flamur serb që, nën dritat e skenës dhe në vrullin e interpretimit, këngëtarja e kishte pandehur flamur hungarez.
Gjithsesi flamuri serb, si gjithë flamujt e kombeve, meriton trajtim dinjitoz se simbolizon vlerat dhe aspiratat e një populli të tërë dhe s’mund të barazohet me genocidin dhe gjakderdhjet e millosheviçëve.
Po, kur është fjala për propagandë e poza atdhedashurie, patriotët e rjeteve sociale nuk të falin asnjë grimë, zerojnë brenda sekondës gjithë kontributin e Rita Orës për popullarizimin në rrafsh botëror të Kosovës dhe të vlerave shqiptare dhe sulen ta shpallin bukshkalë e atdhemohuese.
Dhe të gjithë këtë, shumica e bëjnë me një shqipe të varfër e të përçudnuar, mbushur me lajthitje, fjalor e sintaksë analfabetësh.
Kaq e sakatuar është gjuha në të cilën i shkruajnë komentet, saqë të vjen t’u kthehesh: po qe se do i donit kaq shumë vlerat shqiptare, do kishit shpenzuar pak kohë dhe mund për ta mësuar këtë të uruar shqipe.
Ta përdorësh gjuhën amtare si këta është si ta nxjerrësh nënën në publik veshur si zhelane!
Mu kujtua nje thenie e Fishtes (cituar nga Kuteli) : "Para se me u ba atdhetar,shqiptari duhet me u ba njeri i zbutun " ...... Lymi Tutit
Përgjigju