Bukuria, a i vë vulën suksesit? A është e vërtetë se shoqëria jonë i sheh njerëzit e bukur, profesionalisht edhe më të suksesshëm?

6 Tetor 2023, 13:09| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 16:25

  • Share

Në kohën e sotme presioni social apo mediatik sjell apo promovon individë të bukur fizikisht, të cilët i japin rëndësi pamjes më shumë se përmbajtjes. Në emisionin "Rreze Dielli" u shtruan sot disa pyetje në lidhje me temën: Bukuria, a i vë vulën suksesit?

A është e vërtetë se shoqëria jonë i sheh njerëzit e bukur, profesionalisht edhe më të suksesshëm? Në cilat profesione, bukuria i vë vulën suksesit? A paragjykohet ende një femër e bukur për arritjen e saj në fusha të ndryshme? Po meshkujt?

Të ftuarit Albatros Rexhaj, Stela Nikolla dhe Egla Harxhi ndanë mendimin dhe eksperiencën personale në raport me paraqitjen e jashtme dhe suksesin e tyre në fusha të ndryshme.

"Bukuria është relative, ka shumë përkufizime mbi atë çka është e bukur. Për mua bukuria është ndjesi, në atë që personi të transmeton e të përçon në tërësi, jo vetëm në shkëndijën e parë në momentin kur e sheh. Jam dakord në përpjekjen që një njeri bën në më të mirën e tij që jo vetëm të tërheqë vëmendjen, por dhe ta mbajë. Bukuria nuk është vetëm dimensioni fizik, por gjithë ajo që ti investon tek vetja veshja, kurimi, pastërtia si dhe energjia që jep. Unë e quaj projekt i vogël personal dhe sot është i rëndësishëm." - u shpreh Albatros.

Si një agjente marketingu, Stela Nikolla u shpreh se për hir të punës, i ka kushtuar rëndësi paraqitjes së jashtme në një treg të vështirë dhe konkurues.

"Energjia është shumë e rëndësishme, pamja e jashtme ka rëndësinë e saj. Mendoj që në punë të ndryshme ka vlera dhe është i rëndësishëm, por a ka vazhdimësi imazhi. Ai të hap dyert e para, por më pas duhet zgjuarsia, intelekti për të mbajtur një vend pune. Këtu ka për të diskutuar… Unë si një agjente marketingu, jam e detyruar të punoj në imazhin tim, pasi prezantimi në punën time është parësor" - tha ajo.

Në showbiz bukuria dhe rinia vlerësohen më shumë se çdo profesion tjetër. Dihet që Hollivudi nuk i fal rrudhat apo njerëzit e shëmtuar, ndaj shumë personazhe të njohur i drejtohen kirurgjisë plastike.

Në lidhje skype direkt nga Franca ku jeton prej vitesh, Egla Harxhi u shpreh se në ambientin e punës, të gjykosh apo ngacmosh dikë për pamjen e jashtme, është sikur të vrasësh dikë. Si një arkitekte, ajo tregoi sesi reagojnë meshkujt kur i duhet të bëjë shefen dhe të organizojë punën.

"Për mua bukuria ngjall emocion dhe si e tillë krijon efektin e alkimisë në mendje, në trupin e njeriut dhe krijon një lloj ndjesie kënaqësie. Bukuria ka qenë në shekuj dhe vazhdon të jetë aq e rëndësishme. Dikur në bazilikat e kristianizmit imazhi ishte i ndaluar, por një justinian mblodhi komitetin në atë kohë dhe vendosën që të risillnin imazhin në kisha për një arsye të vetme sepse ishte më e thjeshtë që njerëzit të aderonin drejt krishtërimit nëpërmjet imazhit. Dhe kjo është një nga shembujt në histori që tregon se imazhi ka një influencë të jashtëzakonshme. Në ditët e sotme ky treg ka krijuar një botë tjetër, ne jemi të mbingarkuar nga imazhet. Unë si një arkitekte duhet të kem një imazh të kuruar në të njëjtën kohë trend, por gjatë ditës ti përballesh me ekipe pune të profesioneve nga më të ndryshme, që në fillim duke parë një femër bjonde të kuruar mund të më paragjykojnë, por në fund të ditës më përshëndesin me mirësjellje" shprehet Harxhi.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?