Kronikë
Top 24

'Bularati', Shpëtim Idrizi: Të mblidhet me urgjencë Këshilli i Sigurisë Kombëtare

9 Nëntor 2018, 13:20| Përditesimi: 9 Nëntor 2018, 13:32

  • Share

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ka bërë thirrje për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas ngjarjes së Bularatit dhe shfaqjes së djeshme të ekstremistëve grekë gjatë ceremonisë funerale për Konstandin Kaçifën. Ekstremistët grekë lëshuan thirrje nacionaliste si dhe ekspozuan flamujt e Vorio-Epirit gjatë gjithë ceremonisë. Kjo për PDIU është e papranueshme dhe shteti duhet të marrë masa.

Nëse nuk e vendosni dot autoritetin e shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, na thoni se do ta mbrojmë vetë ne shqiptarët. PDIU dhe Shoqata Patriotike Çamëria kërkojnë sot me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU

1500 persona të ardhur me autobusë nga Greqia morën pjesë dje në funeralin për Kaçifën në Bularat, ndërsa shpalosën flamuj grekë dhe bënë thirrje nacionaliste për të ashtuquajturin Vorio-Epir. Në përfundim të ceremonisë, policia shoqëroi 14 persona, mes tyre edhe ekstremistin Babis-Harallambos Katharanos.

Deklarata e plotë:

Kemi heshtur deri tani duke u munduar shumë të respektojmë kodin e të vdekurit. Kemi heshtur gjithë këto ditë për keqpërdorimin që I është bërë një akti terrorist, që do ndëshkohej nga policia e çdo vendi të botës, të një njeriu që e përdorën në jetë dhe e përdorën edhe në vdekje.

Kemi heshtur këto ditë dhe nuk jua rikujtuam atë që e kemi thënë me vite me zë të fortë: Varrezat e ushtarëve grekë të rënë si pushtues në Shqipëri dhe bërja e tyre Varrezë Historike me ceremonial shtetëror, do të bëhej vend pelegrinazhi dhe pikënisje incidentesh, për të avancuar pretendimet territoriale të Vorio-Epirit

Kemi parë me shqetësim dhe indinjatë stinën e marrëveshjeve nën tavolinë, politikën pa dinjitet e resiprocitet të politikës shqiptare, me servilizëm e vasalitet, përballë shtetit grek. Shteti Grek që mban prej 78 vitesh ligjin e turpshëm të Luftës me Shqipërinë, nuk njeh genocidin e shqiptarëve të Çamërisë dhe ende nuk njeh as shtetin e Kosovës.

Fatkeqësisht koha na dha të drejtë e sot ne nuk mund të heshtim më. Dje, u gjendëm përballë shfaqjes së turpshme për shtetin shqiptar e për cilindo shqiptar, atë të cënimit të integritetit territorial të vendit. Dje në territorin e Shqipërisë shteti shqiptar pushoi së ekzistuari dhe ne u detyruam të shihnim shfaqjen e thirrjet nacionaliste të ithtarëve të Vorio-Epirit: “ Sëpatë dhe zjarr ndaj qenëve Shqiptarë “ , “Gjaku na thërret të djegim Shqiptarin”, “Vorio–Epiri është Greqi”.

Thirrje raciste u shoqëruan me veprime të dhunshme ndaj gazetarëve shqiptarë si dhe me bllokimin e rrugëve nacionale. Turp për ata deputetë shqiptarë e grekë, që u bashkuan në nderimin e një terroristi të keqpërdorur. Thirrjet e atyre që guxuan të revokonin dje Vorio-Epirin, sot po I përgjigjemi ne: Ka vetëm një Epir dhe është ai i Pirros së Epirit, krahina shekullore e Çamërisë.

PDIU dhe Shoqata Patriotike Çamëria kërkojnë sot me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të vënë urgjentisht në alarm institucionet e Sigurisë Kombëtare, SHISH, SHIU, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, por dhe për financimet sekrete greke për një pjesë të mediave, OJF-ve dhe bizneseve.

Ju kujtojmë shqiptarëve që Këshilli I Sigurisë Kombëtare është mbledhur herën e fundit për çështjen e Balilit. Është e papranueshme dhe indinjuese për çdo shqiptar që të shohim rënien e shtetit në jugun e Shqipërisë. Ngjarje të tilla Shqiptarët i kanë parë në vitin 1914, në vitin 1940, në vitin 1997, por kurrë nuk mund të pranojnë ti shohin të përsëritura në vitin 2018.

I drejtohem sot shtetit shqiptar që: Nëse nuk e vendosni dot autoritetin e Shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, detyrë që rrjedh nga Kushtetuta e vendit, na thoni se do ta mbrojnm vetë ne shqiptarët.

/b.ha./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?