Mbështetja e integrimit të vendi në BE dhe vlerësimi i kontributit të Kuvendit në fuqizimin e sistemit demokratik ishin dy pikat ku presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev u përqendrua gjatë takimit me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.
“Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë e të lobojë fuqishëm për çeljen sa më shpejt të negociatave dhe do ta përsërisë qëndrimin e saj në Samitin e Zagrebit. Ne do të mbështesim rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian të 2 marsit sepse jemi të bindur për rezultatet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe prioritetet kyçe. Vlerësoj kontributin e Kuvendit në fuqizimin e sistemit demokratik në Shqipëri dhe Parlamenti është institucioni më demokratik në një shoqëri demokratike”, vuri në dukje Presidenti Radev.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë , Radev falenderoi Shqipërinë për njohjen e pakicës bullgare dhe respektimin e të drejtave të saj, ndërsa theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit Shqiptaro-bullgar.
Rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve u theksua edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ruçi i cili u shpreh se mund të zgjerohet në fushën ekonomike, tregtare dhe rritjen e investimeve bullgare në Shqipëri si në transportin ajror, hekurudhor e rrugor, turizmin, arsimin, kulturën etj.
Gjithashtu Ruçi falenderoi Presidentin Radev për mbështetjen që Bullgaria i jep Kosovës dhe shprehu bindjen që kjo mbështetje do të vazhdojë për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Komente
