Presidenti bullgar, Rumen Radev dhe ai serb, Aleksandar Vuçiç

Bullgaria nis ndërtimin e gazsjellësit për në Serbi

1 Shkurt 2023, 18:21| Përditesimi: 1 Shkurt 2023, 18:26

  • Share

Bullgaria ka nisur ndërtimin e gazsjellësit që do ta lidhë me Serbinë, në përpjekje për të rritur sigurinë e furnizimeve në lindje të Ballkanit, pas pushtimit rus të Ukrainës. Bullgaria, shtet anëtar i Bashkimit Evropian, ka përshpejtuar disa projekte që synojnë të heqin varësinë nga gazi rus.

Lidhja e re e gazit, ndërtimi i së cilës financohet pjesërisht me para të BE-së, pritet të përfundojë në muajin tetor. Gazsjellësi pritet të ketë kapacitet prej 1.8 miliard metër kub gaz në vit në secilin drejtim. Ky sistem i gazsjellësit do të transportojë gaz nga Azerbajxhani deri në perëndim të Evropës, por po ashtu do t’i japë qasje Serbisë në gaz të lëngshëm natyror, përmes porteve në Greqi.

“Gazsjellësi ofron mundësi të reja për rajonin përmes diversifikimit të vërtetë dhe sigurisë së furnizimeve”, tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në ceremoninë e nisjes së ndërtimit.

Homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, tha se gazsjellësi do të ndihmojë “në sigurimin e energjisë në të ardhmen... për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore”. Ndërtimi i gazsjellësit në pjesën serbe ka nisur në shkurt të vitit 2022, por lufta në Ukrainë ka shkaktuar vonesa në dërgesat për ndërtimin e gazsjellësit në anën bullgare.

Dy shtetet kishin nënshkruar marrëveshje më 2012 për ndërtimin e gazsjellësit prej 170 kilometrash. Bullgaria ishte pothuajse krejtësisht e varur nga gazi rus, duke transportuar rreth 3 miliardë metër kub në vit, deri kur Moska ndërpreu krejtësisht furnizimet në prill të vitit 2022, pasi Sofja refuzoi që të paguante me rubla ruse për gazin e Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Që nga ajo kohë, Bullgaria ka pranuar gaz përmes dërgesave detare nga Azerbajxhani, përmes linjës nga Greqia. Serbia, në anën tjetër, vazhdon të mbajë lidhje miqësore me Rusinë. Beogradi vitin e kaluar nënshkroi një kontratë të re trevjeçare me Gazpromin rus, duke nxitur kritika nga Brukseli, në kohën kur BE-ja po tenton të ulë varësinë nga energjia ruse./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?