Bullizimi i vajzës së mitur në Durrës, sociologu Tushi në Report Tv: Fenomeni po zgjerohet, ka ide dominimi te adoleshentët! Hazizaj: Edukimi, çelësi

26 Dhjetor 2022, 14:06| Përditesimi: 26 Dhjetor 2022, 14:52

  • Share

Videoja e shfaqur ditën e djeshme ku një 22 vjeçar në Durrës bullizonte një vajzë të mitur, ka shkaktuar shqetësime dhe reagime të shumta. Sociologu, Gëzim Tushi tha se adoleshentët shqiptarë po rriten në një klimë të atillë ku u përcillet ideja se duhet të jenë dominantë. Në një lidhje skype për emisionin 'Sot live në Shqipëri në Report TV, Tushi tha se fëmijët të cilët vuajnë nga bullizmi janë lehtësisht të dallueshëm dhe se familja dhe shkolla duhet të luajnë një rol më të madh në trajtimin e këtyre rasteve.

“Zgjerimi i fenomeneve të bullizmit është një defekt shumë i rëndë. Adoleshentë që po rriten në një klimë ku u përcillet ideja që duhet të jenë të fortë, dominantë. Ideja se individualisht duhet të jesh i suksesshëm është karburant që ushqen bullizmin në të gjitha format si fizikisht ashtu edhe seksualisht. Të rinjtë minorë në 16 vjeç ose më të vegjël, janë bërë fenomene shumë shqetësuese. Familja është vatra e parë ku duhet të diktohen këto simptoma. Nëse i biri i tyre ka dëshirë të qëndrojë vetëm, ka shenja të tjera të depresionit apo nuk do të shkojë në shkollë. Do të thotë se ka faktorë të jashtëm që ndikojnë. Prindërit nuk ka nevojë të jenë psikologë, por gjëra të tilla duhet t’i dallojnë tek fëmijët e tyre. Së dyti është shkolla që nuk mund të jetë indiferente ndaj situatës sociale që përjetojnë adoleshentët tanë. Ata dallohen, janë të mërzitur, mbyllen në vetvete, janë të papërgatitur. Bulluezit nuk është nevoja t’i çojmë në burg sepse nëse ndëshkohen radikalisht bëhen akoma më keq. Kjo do thotë se duhet të ketë komunikim me ta nga ana e prindërve dhe mësuesve”- u shpreh sociologu, Tushi.

Ndërsa, Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), tha se nuk kishte një përgatitje të duhur nga Ministria e Arsimit për të trajtuar raste të tilla. Më tej ai shtoi se një pjesë e fajit qëndron edhe tek prindërit të cilët sipas tij pranojnë t’u blejnë telefonat më të shtrenjtë fëmijëve pa i surverjuar nëse këta të fundit mund të ishin viktimë e dhunës psikologjike në internet.

“Autoritetet veprojnë pak ose aspak. Ministria e Arsimit nuk është e përgatitur për t’u përballur me këto fenomene. Ata akoma vazhdojnë të mos përgjigjen, të mos ndërmarrin hapa të caktuar. Prindërit mbajnë përgjegjësinë e tyre, ajo që kemi parë dhe vazhdojmë të shikojmë, është se prindërit kanë një lloj preference. Por u blejnë fëmijëve celularët më të shtrenjtë, vetë mbajnë celular më të vjetër. Por nga ana tjetër u japin një minë me sahat fëmijëve në dorën e tyre. Një celular i lidhur 24 orë me internetin, bën që fëmijët të ngacmohen”-tha Hazizaj.

Ai shtoi se në qendrën që ai drejton, vinin me qindra denoncime nga të miturit të cilët kishin përjetuar abuzime psikologjike apo kërcënime në internet. Sipas tij fëmijët janë më të shqetësuar që ngjarja të mos merret vesh nga prindërit e tyre sesa nga denoncimi në polici.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?