Ekonomi

Bulmeti me faturë/ Radonshiqi: Problemi është më i thellë! Pilku: Shumë operatorë do të mbyllen

14 Korrik, 13:52| Përditesimi: 14 Korrik, 14:36

  • Share

Nga dita e sotme, Tatimet nisën kontrollet për të rregulluar tregun e produkteve të bulmetit, duke kërkuar faturë tatimore.

Aksioni që shihet nga qeveria si një mënyrë për sigurinë ushqimore, nga ekspertët e ekonomisë thuhet se problemi është më i madh se kaq.

Romina Radonshiqi, eksperte ekonomie, në një intervistë për emisionin "Sot Live Shqipëri" me Nertil Agalliun në Report Tv, tha se para nisjes së aksionit do të duhej të kishte një strategji për të zhvilluar bujqësinë dhe blegtorinë.

“Do ishte mirë që së pari të mblidheshin dhe mendonin si ta zhvillonin bujqësinë dhe blegtorinë. Nuk bëhen këto gjëra as me presione, as me sekuestrime, nuk ndërgjegjësohen fermerët në këtë formë. Nuk mund t’i thuash konsumatorit ja dhe unë po i sekuestroj produktet pa faturë që të rris gjurmueshmërinë e produkteve.

Problemet në këtë treg zgjidhen duke krijuar strategji realiste dhe duke ndihmuar fermerin.

Faji nuk është vetëm i fermerëve. Duhet parë me seriozitet situata. Do bëhet kjo që është thënë, dhe ku është zgjidhja? U rregullua tregu? Pra problemi është më i thellë seç duket”, tha ekspertja Romina Radonshiqi.

Ndërsa eksperti i bujqësisë, Ilir Pilku, tha për Report Tv se formalizimi i tregut të produkteve të bulmetit është çështje kryesore për Bashkimin Europian në lidhje me sigurinë ushqimore.

Sipas tij, shumë operatorë përpunues mund të shkojnë drejt mbylljes nëse nuk përmbushin kriteret.

“Kapitulli 12 është më delikati. Kjo është çështje që ka vite dhe duhet të ishte vendosur në normat e duhura. Ligji i ushqimit i vitit 2008 i ka të specifikuara të gjitha elementët, qoftë edhe etiketimin dhe përmbajtja e etiketës.

BE ka nxjerrë një ligj të ri, nuk ka më inspektim ushqimor, do të quhet kontroll zyrtar, dhe ne duhet të respektojmë në maksimum këto rregulla.

Mund t’ju jap dhe një shembull. Para 20 vitesh, Polonia ka qenë në një situatë të tillë me industrinë e mishit. Mund t’ju them që 80% të operatorëve përpunues u detyruan të mbyllnin bizneset e tyre për arsye të plotësimit të rregullave dhe standardeve të sigurisë ushqimore të Bashkimit Europian. Do ndodhi dhe në Shqipëri, nuk ka përjashtim nga kjo gjë”, tha eksperti i bujqësisë Ilir Pilku.

V.GJ /SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nga sot sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni?