Bulqiza nuk është vetëm vendi i minierave dhe 'nëntokës' por edhe vendi i bukurive të fshehta natyrore, ku me pak investim në zonë do të kthehej në një nga vendet e preferuara për zhvillimin e turizmit malor gjatë gjithë vitit.
Natyra përrallore, liqenet malore, relaksi që ofron lumi Drin, kulinaria e bujtinat origjinale të ndërthurura me kulturën dhe traditën e zonës mund ta kthejë Bulqizën në një destinacion të preferuar për turistët dhe aventurat e tyre.
Riges Beqiri, aktivist dhe drejtues i shoqatës së "Natyrës dhe turizmit Bulqizë", në një intervistë për 'Studio Live' në Report Tv për gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, tha se numri i turistëve janë në rritje. Hiking, por edhe eksplorimi i liqeneve dhe zonave të fshehura janë aventurat më të preferuara nga Turistët. Sipas aktivistit Beqiri, turistët nga Gjermania, Franca dhe Anglia janë ata që frekuentojnë më shumë zonën.
"Kemi turistë si vendas dhe të huaj. Hapja e rrugës së Arbrit do të rrisë potencialin rritjes së numrit të turistëve. Pjesa më e madhe e turistëve të huaj vijnë nga Gjermania, Franca dhe Anglia, të cilët lëvizin më së shumti me motorë apo fouristrada. Hiking është sporti i preferuar. Më së shumti preferohet stina e pranverës dhe vjeshtës për hiking, por edhe gjatë dimrit preferohen të eksplorohen liqenet e shumta në zonë apo lumi i Drinit në verë", tha Beqiri.
Kullat historike janë përshtatur në bujtina, ku sipas aktivistit kjo e bën edhe më interesante zonën për turistët që duna të shijojnë traditën, ndërsa hapjen e rrugës së Arbrit rrit edhe më shumë potencialin e ardhjes së turistëve si vendas por edhe të huaj.