Dibër- Specialisti i Pyjeve dhe kryeplaku i fshatit Okshtun të Bulqizës janë marrë nën akuzë për shpërdorim të detyrës, pasi nuk kanë zbuluar dhe referuar rastin e kultivimit të parcelës me 1800 bimë narkotike kanabis sativa, për të cilën u arrestua një ditë më parë Argjend Kraja, 19 vjeç dhe u shpall në kërkim Artur Zalla, 21 vjeç, të dy nga Fushë-Kruja.
Burime zyrtare nga Policia e Dibrës bënë sot me dije (11 qershor) se në vijim të operacionit policor antikanabis të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariat referuan materialet në Prokurori.
Të dyshuarit janë A. M., 61 vjeç, banues në Gjoricë, specialist i Pyjeve dhe R. S., 59 vjeç, banues në fshatin Okshtun, kryeplak.
“Ndaj tyre rëndon vepra penale “shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë ushtruar kontroll mbi territorin përkatës, duke mos përmbushur detyrimet që u ngarkon funksioni”, tha policia.
Zbulimi i një parcele me 1800 fidanë kanabis sativa që po kultivoheshin në malëzinë e Bulqizës ka çuar në pranga në flagrancë teksa u shërbente bimëve narkotike një person nga Fushë-Kruja dhe në kërkim u shpall bashkëpunëtori i tij në krim.
I arrestuari është Argjend Kraja, 19 vjeç, kurse në kërkim u shpall Artur Zalla, 21 vjeç.
Komente
