Bankat kanë dhënë më shumë kredi për sektorin e turizmit dhe industrinë në muajit e parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë thotë se shtimi i numrit të turistëve, ka rritur nevojën për shtim të kapaciteteve akomoduese dhe si rezultat është rritur kërkesa për kredi nga ky sektor.
Milionave turistëve biznesi duhet t’i përgjigjet me standarde dhe shtim të kapaciteteve pritëse, gjë që ka shtuar peshën e kredisë që bankat kanë dhënë për industrinë e turizmit.
Drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli thotë se gjatë tremujorit të parë kredia për sektorin e turizmit ka pësuar rritje të forte, dhe pritet të vijojë edhe në pjesën tjetër të vitit.
“Kreditimi po rritet me ritme të shpejta, me 16.7% në nivel vjetor. Pjesa më e madhe e kredisë për investime të biznesit është rritur me 18%, kjo kredi ka mbështetur më shumë shërbimet, me profil të theksuar në turizëm, ka rritje deri në 22% të kredisë për industrinë që është sinjal pozitiv për ristrukturimet dhe produktivitetin që po ndodh në këtë sektor”, tha Themeli.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë vetëm në tre muajit e parë të vitit bankat kanë dhënë 32 milionë euro kredi për sektorin e turizmit, nga 27 milionë euro që ishte vjet në të njëjtën periudhë. Shtimi i kreditimit për ekonominë në tërësi thotë Themeli është ndikuar nga rënia e interesave.
“Niveli i normave të interesit, kushtet e përgjithshme të kreditimit kanë favorizuar një rritje të kredisë për investime dhe konsum”, tha Themeli.
Interesi i kredisë së re në lekë për biznese rezultoi mesatarisht 6.4% në tremujorin e parë të vitit, ndërsa për kredinë në euro, ishte edhe më i ulët në 5.7% thotë Banka e Shqipërisë nga 6.1% që ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Komente
