Milionave të turistëve duhet t’u përgjigjemi me standarde dhe shtim të kapaciteteve pritëse, gjë që ka shtuar peshën e kredisë që bankat kanë dhënë për industrinë e turizmit vjet.
Banka e Shqipërisë thotë se sektori i hoteleri-turizmit ka udhëhequr rritjen e kërkesës për kredi, për shkak të interesit të shtuar për turizëm në vendin tonë.
“Bankat kanë rritur financimin e bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë, dhe rritja vjetore e portofolit është dyshifrore për të pesta kategoritë kryesore, por më e fortë ajo ka qenë për sektorin e hoteleri - turizmit. Zgjerimi vjetor i këtij portofoli me 25%, ishte 5 p.p më i lartë se norma e shënuar në periudhën paraardhëse. Gjithashtu përshpejtim të ndjeshëm shënoi edhe kredia për sektorin e industrisë dhe tregtisë me norma të larta rritjeje përkatësisht me 20%4 dhe 15.8%. Ndërkohë, kredia për sektorin e ndërtimit dhe për bujqësinë shënoi një rritje me mesatarisht 16.5% dhe 11.4%”, thotë Banka e Shqipërisë.
Afro 128 milionë euro ishte vlera e huasë që bizneset e fushës së turizmit morën gjatë vitit të kaluar, kryesisht për investime dhe shtim të kapaciteteve. Në raport me vitin 2023 kredia e dhënë për këtë sektor u rrit me rreth 26 milionë euro. Rritja e kredisë për këtë sektor prej 5 vitesh është në rritje dyshifrore sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, tendencë që pritet të rritet edhe më tej gjatë këtij viti.
Për të rritur kapacitetet pritëse Ministria e Turizmit në strategjinë deri në vitin 2030 thotë se fokusi duhet të orientohet tek resortet me hotele dhe struktura multifuksionale, dhe jo më tek fshatrat me vila. Kjo masë frenuese e resorteve aktuale që në qendër kanë vilat, dhe jo hotelet, sipas Ministrisë nuk i ka shërbyer turizmit, por vetëm tregut të pronave për shitje.
Aktualisht në vend numri i shtretërve në strukturat tona akomoduese është 270 mijë, ndërsa synimi është që deri në vitin 2030 kapaciteti të ketë arritur 477 mijë shtretër pasi pritshmëritë janë që numri i turistëve të vijojë rritjen, dhe nga 30 milionë net qëndrimi, të arrijë në 72 milionë në vitin 2030.
Sa i takon ndërtimeve të reja, sipas INSTAT vjet në 9 muaj u miratuan 20 leje për ndërtim hotelesh dhe strukturash të tjera në funksion të turizmit me sipërfaqe ndërtimi 68 mijë metër katror, ndërsa vlera e përafërt e këtyre projekteve përllogaritet në afro 24 milionë euro.
Komente
