FOTO/ Bunkerët e Shqipërisë sërish në vëmendjen e mediave të huaja, agjencia franceze AFP: Po 'gllabërohen' nga deti teksa erozioni përparon në vijën bregdetare

5 Dhjetor 2021, 22:40| Përditesimi: 5 Dhjetor 2021, 22:52

  • Share

U krijuan për t'i mbijetuar bombardimeve, por duket se bunkerët e epokës komuniste janë të pafuqishëm në 'përballjen' me detin. Agjencia franceze e lajmeve “Agence France Presse” i ka kushtuar një artikull pikërisht 'përpirjes' së këtyre bunkerëve nga deti, për shkak të erozionit që po avancon gjithnjë e më shumë në vijën bregdetare. Teksa citohen ekspertë të klimës që cilët punojnë për një program zhvillimi të Komeve të Bashkuara, në artikull shkruhet se në një vijë bregdetare prej 427 kilometra dëmet e erozionit janë të mëdha dhe sa vijnë e shtohen.

Artikulli i plotë:

Bunkerët e epokës komuniste të Shqipërisë duhej t'i rezistonin një sulmi bërthamor, por dekada më vonë fortifikimet po gllabërohen nga deti ndërsa vija bregdetare e vendit është goditur nga erozioni.

Brigjet e vendit ballkanik janë ndër më të prekurat në Evropë nga erozioni, sipas ekspertëve, të cilët fajësojnë ndryshimet klimatike dhe urbanizimin e pakontrolluar.

Përgjatë brigjeve të Semanit në Shqipëri, shumë prej bunkerëve të ndërtuar nën drejtimin e ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili i druhej pushtimit të afërt nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Kina ndër të tjera, janë tani nën ujë.

E njëjta gjë vlen edhe për komisariatin, një fushë sporti dhe një pus nafte.

Në plazhe trungjet e pemëve janë shqyer, ndërsa çatitë e shembura dëshmojnë për pafuqinë e popullsisë përballë detit që përparon gjithnjë.

"Bunkerët duhej t'i rezistonin çdo gjëje, por ata dështuan në betejën e tyre të vetme," thotë Ilir Zani, 80 vjeç, për AFP.

Sipas vendasve, deti Adriatik ka përparuar me 800 metra në këtë zonë vetëm në tre dekadat e fundit.

Banori i Semanit, Izmir Mernica, 47 vjeç, ka frikë se kafeneja e tij mund të jetë e radhës.

"Ne jemi të shqetësuar, deti po gëlltit gjithçka," thotë ai.

'Valët do të na gëlltisin'

Në vitin 2009, autoritetet u mbështetën në tanke ushtarake për të tërhequr shtatë bunkerë të zhytur në ujë pas një vargu vdekjesh nga mbytjt e shkaktuar nga vorbullat e krijuara nga rrymat përreth strukturave.

Më shumë se një dekadë më vonë, bunkerët janë rikthyer nën ujë.

"Deti do i marrë sërish”, thotë Mernica.

Sipas ekspertëve të ndryshimeve klimatike që punojnë për Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), më shumë se një e treta e vijës bregdetare të Shqipërisë prej 427 kilometrash ndikohet nga erozioni, me një shkallë prej afërsisht një deri në dy metra në vit.

Në Qerret të Shqipërisë qendrore, Vlash Moci ruan ende bunkerin e tij, i cili dikur strehonte armë kundërajrore dhe tani është një lokal që tërheq turistë të huaj.

Moci, 64 vjeç, është i shqetësuar se baticat në rritje mund të kërcënojnë biznesin e tij së shpejti.

"Kemi frikë se një ditë do të na përpijnë dallgët e mëdha. Është e tmerrshme",  tha ai AFP.

Për të luftuar, pronarët e vilave dhe hoteleve aty pranë në Qerret kanë nisur të ndërtojnë bankina të paligjshme pingul me detin.

Por ekspertët argumentojnë se masat vetëm sa e përkeqësojnë situatën.

'Pika e nxehtë e erozionit'

“Këto janë zgjidhje individuale që përkeqësojnë problemin dhe dëmtojnë biodiversitetin dhe ekosistemet detare”, paralajmëron Mirela Kamberi, eksperte e UNDP-së.

Me pak që është bërë për të ndalur baticat në rritje, deti duket të jetë i papërmbajtshëm për të ardhmen e parashikueshme.

Për shkak të ndryshimeve klimatike, ekspertët parashikojnë se niveli i detit në Shqipëri do të rritet me 40 deri në 105 centimetra deri në vitin 2100.

Për t'i shtuar fatkeqësive të vendit, shpyllëzimi është po ashtu një problem, ndërsa marrja e rërës nga lumenjtë ka përshpejtuar rrjedhën e tyre dhe zhvillimi i pakontrolluar urban përgjatë bregdetit ka dëmtuar mbrojtjen natyrore të zonës.

"Problemi është se njerëzit kanë prerë pothuajse të gjithë pemët për të ndërtuar ndërtesa, duke dëmtuar sistemet e natyrës," thotë Besnik Zara, 66 vjeç, ndërsa hedh një kallam peshkimi në det.

Dhe në malet e Shupalit pranë Tiranës, është e lehtë të shihet se erozioni ka shkakuar më tej në brendësi, shkaktuar më së shumti nga shpyllëzimi dhe lumenjtë që ushqejnë një rezervuar aty pranë.

Ky liqen, i cili furnizon kryeqytetin me ujë të pijshëm, “konsiderohet tashmë një vatër erozioni”, thotë Diku.

Për ta ndaluar erozionin, autoritetet ndaluan prerjen e pemëve nga pyjet e zonës në vitin 2016.

Ata janë zotuar gjithashtu të zbatojnë premtimet e bëra në konferencat e OKB-së për klimën në Paris dhe Glasgoë dhe kanë filluar miratimin e legjislacionit të ri.

“Krimi mjedisor do të trajtohet nga kodi penal si krim kundër jetës, pronës ose në të njëjtin nivel me krimet e organizuara”, paralajmëroi ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?