Vezë të furrës me spinaq dhe beshamel
Përbërësit:
- 4-5 kokrra vezë
- 500 gr spinaq
- 400 gr beshamel
- 1 thelpi hudhër
- 1 lugë uthull vere e bardhë
- 60 gr djathë parmixhan
- 4 lgj vaj ulliri
- Kripë, piper
Përgatitja:
Fillimisht nxehim furrën në 200 gradë Celsius. Ndërkohë ziejmë spinaqin në pak ujë të vluar me kripë. E kullojmë dhe e shtrydhim nga uji i tepërt. Më pas e kaurdisim spinaqin dhe hudhrën në një tenxhere të madhe me 4 lugë vaj, në zjarr mesatar për 2-3 minuta. I hedhim spinaqit kripë dhe e hapim në një tavë furre të madhe. Vlojmë ujë me kripë në një tenxhere plot, shtojmë uthullën, thyejmë një vezë në një pjatë dhe e hedhim në ujë ngadalë. E përsëritim veprimin me vezët e tjera dhe i lëmë në zjarr 5 minuta. I kullojmë më pas me një lugë me vrimë dhe i vendosim në tavë mbi spinaqin. E mbulojmë sipërfaqen me beshamel dhe djathë të grirë parmixhan. E lëmë tavën në furrë 5 minuta, derisa të prarohet lehtë dhe e shërbejmë të ngrohtë.