'Burg kush fsheh pagat reale!' Inteligjenca Artificiale do zbulojë abuzimet! Nëndeklarimi rrezikon ekonominë e pensionet

11 Shtator, 16:07| Përditesimi: 11 Shtator, 16:48

  • Share

“Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike”, u shpreh kryeministri Edi Rama më 8 shtator 2024.

Kjo deklaratë e Kryeministrit Rama në asamblenë socialiste paralajmëroi një aksion të rëndësishëm kundër nëndeklarimit të pagave, por sipas ekspertëve edhe dyert e burgut nuk janë zgjidhje. Thembra e ‘Akilit’ sipas ekspertëve është vetë Administrata apo Inspektoriati i Punës që të luftojnë informalitetin.

“Administrata që do të bëjë verifikimin e pagave të nëndeklaruara është më e korruptuara në botë”, thotë eksperti Arben Meçe.

“Nuk ka nevojë për ta futur në burg, por shkon Inspektoriati dhe i mbyll biznesin, dhe nesër ai nuk mund të rrijë pa deklaruar”, pohon Kol Nikollaj nga sindikata e punonjësve.

“Nuk mund të nisësh një betejë karshi informalitetit, pa e ditur dimensionin e tij, që njerëzit të kuptojnë se kush është ai që bën evazionin, sepse mund të futen në burg njerëz padashje pasi kemi me mijëra të vetëpunësuar”, pohon eksperti Eduart Gjokutaj.

Zgjidhja që qeveria po diskuton aktualisht për të goditur nëndeklarimin e pagave, është Inteligjenca Artificiale. Përmes ngritjes së një sistemi për kryqëzimin e të dhënave dhe pagave të deklaruara nga bizneset, do të bëhen analiza risku, për bizneset që paraqesin rrezik më të lartë për evazion fiskal. Kjo strategji pritet të bëhet publike në mes të muajit tetor, ku do të detajohet bizneset që do jenë në fokus të këtij aksioni dhe jo vetëm.

“Nëse sot punën e bëjnë disa njerëz, ndërtojnë politikat disa njerëz, mbushin tabela po të njëjtët dhe pastaj orientojnë goditjen në mënyrë selektive, inteligjenca bën të njëjtën gjë por ftohtë”, thotë Meçe.

Por pse bizneset nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve?

“Mos deklarimi i pagës është tregues i një ekonomie të dobët. Bizneset dhe që nuk pranojnë të deklarojnë 100% do të thotë që kanë probleme ekonomike. Së pari është presioni i lartë fiskal. Është e vërtet që edhe sektori privat është pjesë e evazionit, por për të eliminuar evazionin duhet së pari të analizosh që ky evazion fiskal, këto taksa që ke vendosur a janë të përballueshme apo jo”, shprehet eksperti Vjoldi Danaj.

Aktualisht janë 55% e të punësuarve në vend që nuk e arrijnë pagën mesatare, ku pjesa dërrmuese e të punësuarve paguhen minimalisht 40 mijë lekë, që është vlerë e pataksuar.

Ndërsa paga mesatare në gjashtëmujorin e parë të vitit u rrit me vetëm 89 lekë, krahasuar me 2023-shin. Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të rrogave, lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra subjekte deklarojnë në bankë pagën minimale e pjesën tjetër ua japin në dorë.

Në këtë mënyrë ulet vlera e kontributeve që paguhet për punëmarrësin, e për pasojë vetëm si rezultat i kontributeve të ulëta për shkak të nëndeklarimit të rrogave, pensionet po dalin çdo vit e më të ulëta.

Inspektorati i Punës thotë se punësimi informal këtë vit është rritur me 52% krahasuar me vjet, dhe kryesisht vihet re mos deklarimi i punonjësve.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?