Maribor, Slloveni - Atleti shkodran Franko Burraj ka shkëlqyer në “European Team Championship” që po mbahet në Slloveni. Burraj e mbylli garën e 400 metrave në vendin e parë, duke ndalur kronometrin në 45 sekonda e 87 të qindtat. Kjo kohë jo vetëm që i dha atij vendin e parë të garës, por bëri që Burraj të thyente edhe rekordin kombëtar që mbahej nga vetë ai.
Puna e palodhur dhe sakrificat bënë që Burraj të ulte nën 46 sekonda fundin e garës, kohë që duhet ta bëjë shumë krenar pasi do dojë kohë që dikush ta thyejë këtë rekord. Vetëm një muaj më parë Burraj e mbyllte këtë garë me kohën 46''14 të qindtat në Kupën e Shqipërisë.
Sa i takon garës në Slloveni, Burraj ishte me disa sekonda para rivalëve të tij. Ai la pas në vendin e dytë maltezin Matthew Galea Soler, ndërsa në vend të tretë u rendit moldavi Ivan Galusco.
Burraj, 26 vjeç, i ka shtuar pikë të rëndësishme Shqipërisë dhe vetes në këtë turne, nga ku synohet edhe një vend në Botërorin e Atletikës që zhvillohet në shtator.
Komente

Suksese Shkodranit.
Përgjigju