Kronikë

Burrel/ E zuri poshtë masivi i dheut teksa po punonte me ekskavator, vijojnë kërkimet për 29-vjeçarin! Ministria e Mbrojtjes: Operacionin kompleks, ndërhyrjet po kryhen me kujdes ekstrem

6 Maj, 13:33| Përditesimi: 6 Maj, 15:53

  • Share

Familjarët e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, vijojnë prej të shtunës kërkimet pa rezultat, për gjetjen e trupit të tij, nën masivin e kromit që u shemb në Qafë-Burrel të Klosit.

Kërkimet po kryhen me mjete rrethanore, kazma dhe lopata. Familjarët prej dy ditësh kërkojnë pajisje detektor për të gjetur trupin, i cili mund të jetë groposur në thellësi të masivit të kromit.

Për herë të parë nga dita e ngjarjes, sot erdhi një reagim nga Ministria e Mbrojtjes.

"Menjëherë pas ngjarjes, janë angazhuar forca të shumta në përpjekje për të gjetur dhe nxjerrë trupin e punonjësit të zhdukur.

Në operacionin kompleks janë përfshirë:

            •          Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi i bashkisë Klos,

            •          Forcat e Policisë,

            •          Punonjës të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM),

            •          Ekip mjekësor me autoambulancë,

            •          Forca vullnetare nga komuniteti,

            •          Efektivë të Forcave të Armatosura me pajisje për detektimin e metaleve,

            •          Punonjës të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Rrëshqitja e ndodhur përfshin një masë të konsiderueshme dheu, me përmasa të vlerësuara rreth 5 kilometra gjatësi, 20 metra gjerësi dhe mbi 4 metra thellësi. Terreni në zonën e prekur mbetet i paqëndrueshëm, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në ndërhyrjen me mjete të tjera të rënda, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të mëtejshme. Për këtë arsye, ndërhyrjet po kryhen me kujdes ekstrem, për të shmangur çdo rrezik shtesë për forcat e angazhuara në operacion.

 Megjithatë, aktualisht në një pjesë të luginës është bërë e mundur ndërhyrja me ekskavatorë dhe mjete të tjera ndihmëse.

Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera, deri në këto momente nuk është bërë e mundur lokalizimi apo nxjerrja e trupit të punonjësit të ekskavatorit. Operacioni i kërkimit nën vijon me përkushtim maksimal, duke respektuar të gjitha protokoll",- thuhet në reagim.

Aksidenti fatal për të riun, ndodhi kur po punonte me ekskavator në stokun e fabrikës së kromit. Çarja e papritur e rezervuarit dhe vërshimi i ujit e inerteve, zuri  të riun bashkë e mjetin që po punonte.

Xh.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?