Burrel-Pronari i një lokali në lagjen "Partizani", Burrel është vendosur në pranga pasi akuzohet se në këtë ambient viheshin baste sportive.
Gjatë kontrollit në lokalin e 29-vjeçarit me inicialet A.D., uniformat blu sekuestruan një sasi e vogël kanabisi, 1 mjet prerës thikë, 10 bileta bingoje, 3 celularë, 1 kompjuter, 1 printer dhe 1 armë sportive pistoletë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në DVP Dibër, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në një lokal, në lagjen "Partizani" Burrel, viheshin baste sportive.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i lokalit shtetasi A.D., 29 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte përshtatur lokalin e tij për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojrave të fatit. Në lokalin e 29-vjeçarit, u sekuestruan një sasi e vogël canabisi, 1 mjet prerës thikë, 10 bileta bingoje, 3 celularë, 1 kompjuter, 1 printer dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.