Sociale

Burrel/ Metalurgët e ferrokromit ngrihen në protestë pas uljes së pagës nga kompania: U shkel kontrata e punës

18 Shkurt, 10:12| Përditesimi: 18 Shkurt, 13:54

  • Share

Dhjetëra metalurg të uzinës së Ferrokromit në Komsi të Matit zhvilluan sot një protestë ndaj kompanisë turke Yildirim Holding Group, e cila prej disa muajsh ka përgjysmuar ditët e punës për punëtorët.

Metalurgët thonë se kompania ka shkelur kontratën dhe se i ka diskriminuar pasi përgjysmimi i rrogës është bërë vetëm për ta. Sipas metalurgëve aktualisht kompania i paguan vetëm për 11 ditë në muaj me gjysmë page, ndërsa 11 ditë të tjera duhet të rrijnë pushim.

Metalurgët shprehen se nuk pranojnë këto kushte pasi janë në shkelje të kontratës dhe se do të përshkallëzojnë protestën e tyre deri në rikthimin e rrogës së plotë. Ata i kërkojnë kompanisë reflektim dhe zgjidhjen e problemit ndryshe do të përshkallëzojnë protestat dhe do t'i drejtohen të gjitha institucioneve ligjzbatuese.

‘Ne jemi mbledhur për një urdhër që ka ardhur nga kompania, ku lajmërohet se metalurgët do të kalojën 11 ditë punë dhe 11 ditë 50% dhe jemi këtu për ta kundërshtuar këtë urdhër dhe jo për ta zbatuar. Ne kërkojmë që ky urdhër të anulohet ose do të përshkallzojmë protestën tonë. Urdhri është lëshuar nga kompania sepse thotë është rritur çmimi i energjisë dhe ka probleme financiare, ndërkohë nga ky vendim prekemi vetëm në dhe jo administrata. Jemi këtu për bukën e fëmijëve’, tha një puntorë.

‘Ky urdhër është edhe në kundërshtim me kontratën sepse janë dy pika në kontratë që thonë urdhri i parë që puntorit ti ulet paga kur ndërron frontin e punës dhe pika tjetër për arsye falimentimi të kompanisë dhe urdhri që ka dal bie në kundërshtim me pikat’, tha një tjetër.

Nga ana tjetër, kompania AlbChrome në pronësi të turqve “Yildirim Group” në një reagim për mediat tha se për shkak të mungesës së tregut uzina ka pezulluar prodhimin e ferrokromit.

Sipas tyre, punëtorët do punojnë 11 ditë dhe do paguhen me pagë të plotë për kohë të plotë. Ndërsa për 11 ditët e tjera, pavarësisht që nuk do punojnë do paguhen me 50% të pagës. Pra në fund të muajit do marrin 75% të pagës.

Kompania tha se pavarsisht krizës financiare nuk do të shkurtojë vendet e punës.

'Uzina ka 6 muaj që nuk prodhon dhe pavarësisht nga kjo janë paguar me 100%. Shpresojmë që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë dhe të rifillojë prodhimi. Ne as nuk po reduktojmë numrin e puntorëve, as po heqim njeri nga puna. Realisht punetorët tanë i konsiderojmë si pjesë të familjes dhe besoj ata vetë janë koshient për përmirësimet e vazhdueshme që ka bërë kompania këto 3 vite dhe që do vazhdoje t’i bëjë', thuhet në reagim.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?