'Burri i Kështjellës' në rozë, ekspozita ndryshe e fotografes Blerta Kambo: Patriarkati shqiptar, kanuni dhe mënjanimi i gruas

2 Shkurt, 20:23| Përditesimi: 2 Shkurt, 21:08

  • Share

Artistja dhe fotografja Blerta Kambo ka sjellë së fundmi në qendrën COD në Kryeministri, një ekspozitë me fotografi të ndërtesave nga veriu në jug. E ftuar në Studio Live me Arbër Hitajn, në Report Tv Kambo zbërtheu konceptin e ekspozitës së saj “Burri i Kështjellës”, mes qasjes së patriarkatit shqiptar, kanunit, kullës dhe mënjanimit të femrës dje dhe sot, në forma të ndryshme.

Në Qendrën për Hapje e Dialog, Kambo ka ndërtuar një kështjellë burrërie përmes imazhesh të ngurta dhe të forta, por me motive rozë. Kjo me një qëllim. Për të tejkaluar, siç shprehet Kambo, kufizimet.

“Kur e solla si koncept ky ishte titulli me te cilin po punonim dhe sikur mbeti. Idea e burrit të shtëpisë në këtë rast burri i kështjellës është ndërkombëtare.”

Gjatë intervistës për Report tv Kambo sjell më shumë detaje për ekspozitën.

“Janë fotografi që kam bërë në Shqipëri, veri jug kudo. Janë shtëpi të ndërtuara në formë kështjelle. Në dukje kanë një lloj dëshire për të manifestuar pushtet, njëlloj qëndrese por edhe mbrojtje dhe në teorinë time parë nga jashtë këto janë ndërtuar nga burra. Sërish në mënyrë metaforike unë kuptoj se kjo vjen nga dëshira dhe koncepti që patriarkati i rrit djemtë dhe burrat që duhet të jenë burri i shtëpisë të jenë të fortë të mos qajnë,  të pamposhtur. Kjo manifestohet me dëshirën për të patur kështjellën e tyre. ajo që bëj unë është ndërhyrje digjitale. I kthej në dritën infra të kuqe. Kjo ka efekt që çdo gjë që është natyrë e kthen në rozë. Kemi këtë rozën që nuk është shumë burrërore por nga ana tjetër përfaqëson dritën e padukshme që janë metaforikisht gratë dhe vajzat që jetojnë në këtë kështjellë. Ekspozita ka instalacione dhe një skulpturë dhe është e gjitha rozë, shumë rozë.”

Idea për këtë ekspozitë ajo tregon se ka lindur gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri.

“Gjatë udhëtimeve në Shqipëri më bënte përshtypje pse don dikush të ketë kalanë e vetë, kështjellën e vetë. Të gjitha janë shtëpi ose biznese. Nëse e vëren nëpër udhëtime në Shqipëri vë re shtëpi që nuk mbarojnë. Analiza që bëj unë është e patriarkatit. Unë e krahasoj me atë sistemin që e nënshtron gruan por nga ana tjetër është i njëjti sistem që dëmton djemtë dhe burrat. E gjithë ekspozita ka njëlloj kritike”.

Për ta parë ekspozitën mund të shkoni nga e hëna në të premte paradite dhe pasdite, si dhe ditën e shtunë vetëm pasdite deri në datën 14 shkurt.

“Ekspozita është në COD, holli te kryeministria, kati i parë. Është e hapur nga ora 9:30 e mëngjesit deri në orën 14:00. Pastaj në orën 17:30 pasdite deri në 20:30 nga e hëna në të premte. Të shtunën është e hapur vetëm pasdite. Të dielën është e mbyllur. Mbyllja e ekspozitës është më 14 shkurt”, tha ajo.

Ora 20:36
Për 4 vite u kujdes për imazhin e kryeministrit, Blerta Kambo: Si është të jesh fotografe e Edi Ramës

Për rreth 4 vite, Blerta Kambo ka qenë fotografja e kryeministrit Edi Rama, duke e shoqëruar hap pas hapi në çdo aktivitet brenda dhe jashtë vendit që duhet thënë se nuk kanë qenë të pakët.

Më shumë detaje rreth punës së saj me kryeministrin, Kambo i ka treguar në “Studio Live” në Report Tv në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj.

“Kam pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Ramën. Nëse ai është detajist unë jam 10 -ish më shumë. Ma lejonte që unë të mund t’i jepja ndonjë sugjerim në lidhje me fotografitë. Nuk jam ndierë e mikromenaxhuar. E vlerësoj, prandaj më zgjodhi që ta bëj atë punë. 4 vite nuk janë pak sepse ka qenë një eksperiencë që më ka rritur shumë. Që në fillim kam pasur qëllim që përmes fotove të tregoj histori. Pra storytelling. Për mua ka qenë gjithmonë e rëndësishme që të tregoja histori. Ishte e thjeshtë pastaj për mua që të bëjë fotografitë dhe të krijoja një histori, pra ta tregoja e jo ta shpikja", tha Kambo.

Si politikanin që bën foto të bukura ajo veçon Barak Obamën.

“Në fotot e tij nuk ishte vetëm ajo dhënia e dorës, pra fotot zyrtare, ai e bëri më njerëzore”, shtoi ajo.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?