Kultura

‘Burri i shtëpisë’ me premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, regjisori Murataj: Moment i rëndësishëm për kinemanë shqiptare

21 Gusht, 14:55| Përditesimi: 21 Gusht, 18:54

  • Share

Festivali i Filmit në Sarajevë shënoi këtë vit edicionin e 31-të. Pjesë e tij në programin kryesor ishte edhe filmi shqiptar “Burri i shtëpisë”, i cili pati ka patur premierën botërore mbrëmjen e së martës.

Në qendër të filmit, me skenar e regji nga Andamion Murataj, është karakteri i Franit, një grua që ka zgjedhur të jetojë si burrë, por që në një moment të caktuar të jetës së saj rizbulon ndjenjat e mëmësisë.

Filmi është pritur shumë mirë nga publiku dhe mediat vendase. Sarajevo Film Festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë në rajon dhe Evropë, ku çdo vit mblidhen mbi 1,500 profesionistë të fushës dhe afro 100 mijë spektatorë.

Ky edicion ka folur “shqip”, pasi përveç “Burrit të shtëpisë” janë prezantuar edhe tre prodhime nga Kosova: filmi “Vidra” me regji nga Srgjan Vuletiç, si dhe dy filma të shkurtër – “Mua besoj më shpëtoi portreti” nga Alban Muja, i cili konkurroi në kategorinë e dokumentarit me premierë rajonale, dhe “Sytë e Bernës” nga Ermal Gërdovci, me skenar të Patrik Lekajt.

Gjithashtu, aktorë shqiptarë kanë qenë të pranishëm në produksione të tjera ndërkombëtare. Suela Bako dhe Romir Zalla janë pjesë e një filmi që konkurroi në festival, ndërsa ceremonia e hapjes u çel me filmin “Pavjoni”, në të cilin luan aktori shqiptar Alban Ukaj.

Regjisori i filmit “Burri i shtëpisë”, Andamion Murataj theksoi për Report Tv se ky është një moment i jashtëzakonshëm për kinemanë shqiptare, pasi aktorët dhe autorët tanë janë gjithnjë e më të pranishëm në kinematë rajonale. Ai shtoi se kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar për të krijuar bashkëpunime edhe me vendet fqinje, në mënyrë që kinemaja shqiptare të jetë një zë i rëndësishëm i kinemasë europiane.

“Është bërë surprizë që aktorë shqiptarë, janë prezent në të gjithë kinematë rajonale. Moment i jashtëzakonshëm për kinemanë shqiptare, të cilën ne duhet ta kapitalizojmë. Kemi një moment që duhet ta mbështesim, sepse një gjë që vumë re, autorë boshnjakë mund të aplikojnë në Kroaci dhe autorë kroatë mund të aplikojnë në Bosnje, si maxhoritet. Kjo është një fantastike që duhet ta bëjmë me vendet përreth,. Është momenti për të investuar që dhe kinemaja jonë të jete tek kinematë më të mira europiane. Ndoshta e vetme nuk do mundet, por bashkë me vendet që na rrethojën mund të jemi një zë i rëndësishëm i kinemasë europaine”, u shpreh ai.

Pas premierës botërore në Sarajevë, “Burri i shtëpisë” do të shfaqet së shpejti edhe në Tiranë dhe Prishtinë. Filmi është përzgjedhur për festivale të rëndësishme ndërkombëtare në Gjermani, Itali, Francë, por edhe më larg, si në Indi.

Historia e tij ndërtohet mbi jetën e Franit, një grua që, ndonëse nuk i ngjan burrneshave tradicionale shqiptare, ka zgjedhur të jetojë si “burrë i shtëpisë”. Ajo është një grua, e cila ka vendosur të jetojë si burrë, por nuk ka shumë të përbashkëta me klishetë tradicionale me të cilat jemi mësuar t’i përfytyrojmë burrneshat shqiptare.

Frani nuk jeton mes maleve, nuk mban qeleshe, nuk është në gjak, e nuk rri në odat e burrave. E megjithatë ajo ka zgjedhur të jetë “burrë shtëpie”, dhe për të siguruar jetën, për të suportuar të atin në moshë dhe mbesën e vogël, punon si shofere në linjën lokale, që lidh fshatin e tyre me Tiranën.

Në kastin e filmit bëjnë pjesë dhe aktorë, si: Basri Llushtaku, Klodian Hoxha, Adem Karaga, Armond Morina, Valina Muçolli të cilët sjellin karaktere të spikatura. Gjithashtu veç grupit të punës të përbërë me krijues nga e gjithë Evropa, në film ka dhe aktorë të tjerë shqiptarë që vijnë nga Greqia, Italia, Austria.

Ndërkohë është për t’u shënuar që në ekipin e filmit, në rolet kryesore kreative, duke filluar që nga drejtorja e fotografisë, kostumografia, grimi etj. kanë punuar gra dhe vajza nga e gjithë Evropa.

Filmi “Burri i shtëpisë” i cili është zyrtarisht i certifikuar si “green production” nga një prej agjencive më në zë evropiane.

SI.E./a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?