Ajo është një grua, e cila ka vendosur të jetojë si burrë, por nuk ka shumë të përbashkëta me klishetë tradicionale me të cilat jemi mësuar t’i përfytyrojmë burrneshat shqiptare.
Frani nuk jeton mes maleve, nuk mban qeleshe, nuk është në gjak, e nuk rri në odat e burrave. E megjithatë ajo ka zgjedhur të jetë “burrë shtëpie”, dhe për të siguruar jetën, për të suportuar të atin në moshë dhe mbesën e vogël, punon si shofere në linjën lokale, që lidh fshatin e tyre me Tiranën. Kjo është linja mbi të cilën ngrihet historia e filmit “Burri i shtëpisë”, i cili ka premierën e tij botërore më 19 gusht në Festivalin e Sarajevës.
“Në esencë të këtij filmi është karakteri i Franit, një grua që ka zgjedhur jetën e burrit, që në një moment të caktuar të jetës së saj do t’i duhet të rizbulojë ndjenjat e mëmësisë.”, - thotë për “Report TV”, skenaristi dhe regjisori Andamion Murataj.
Për ndërtimin e karakterit të Franit, Murataj është frymëzuar gjatë punës me filmin “Falja e gjakut”, ku pati rastin të takojë shumë karaktere grash, që bënin punë burrash, pasi kishin bashkëshortët në emigrim. Gjatë kësaj kohe pati rastin të takonte dhe mjaft burrnesha dhe ajo që i bëri përshtypje ishte dashuria e tyre për fëmijët djem të familjes.
“M’u duk jashtëzakonisht interesante se si ato komportoheshin nëse do t’iu duhej të merreshin me një vajzë të vogël. Pikërisht atë gjë që kishin shtypur brenda vetes do të duhej ta rizbulonin.”, - vijon Murataj.
Ai vëren se që në fillim, personazhin e Franit e ka parë të lidhur me aftësitë e jashtëzakonshme psiko-fizike dhe mjeshtërinë e lartë interpretuese të aktores Drita Kaba-Karaga nga Maqedonia e Veriut.
“Kam harxhuar kohë të jashtëzakonshme në gjetjen e aktorëve përveç aktores kryesore. Që kur kam filluar filmin kisha atë karakter në mendje. Personazhi dhe aktorja ishin një. E kisha ndarë mendjen që në krye të herës, që Drita ishte karakteri kryesor që do ta luante atë film.”, - rrëfen regjisori.
Që kur ka filluar punën me filmin, duket se gjetja e karaktereve që popullojnë botën e Franit nuk ka qenë e lehtë. Ndaj për të gjetur aktorët që mishërojnë karakteret përreth Franit dhe veçanërisht mbesën e saj të vogël, Zanën, ai ka bërë mbi 1200 audicione në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Porse fati e deshte që fare rastësisht, përmes një fotografie “të njihej” me Alesian, në atë kohë një vajzë 9-vjeçare, e cila i shton padyshim vlera filmit.
“Kur më tha mami që po na kërkon një regjisor, isha shumë e lumtur dhe mezi prisja ta takoja. Kur u takuam po i flisja më shumë rreth vetes dhe sa më pëlqenin filmat. Kur më tha je zgjedhur u lumturova shumë. Te xhirimet e filmit u gëzova shumë dhe takova njerëz të rinj.”, - thotë aktorja Alesia Ruçi, që në film interpreton rolin e Zanës.
Murataj thekson se ajo që e tërhoqi që në fillim te Alesia është fakti se ajo ishte e palodhur dhe punonte me përkushtim, si një aktore profesioniste.
“Ajo çfarë themi shpesh për aktorët është që duhet të jenë plastelinë, që të reflektojnë pas çdo vërejtjeje që i bën regjisori. Alesia reflektonte pas çdo vërejtjeje. E dyta, kishte një ndjenjë sakrifice për rolin. Të xhironim në fshat nuk ishte gjëja më e lehtë. Oraret ishin të jashtëzakonshme dhe mënyra si Alesia u komportua me gjithë këto kërkesa jashtëzakonisht të vështira të filmit ishte e pabesueshme.”, -vlerëson regjisori.
“Në kohën e xhirimit u ndjeva shumë mirë. Atë ditë që isha pak sëmurë, m’u duk sikur m’u morën mendtë, por doja ta vazhdoja xhirimin. Xhirimet e tjera më dukej sikur ishin në jetën reale dhe mua më pëlqen shumë në film, kur duket gjëja reale.”, - thotë Alesia.
Murataj shpjegon se një pjesë e mirë e xhirimeve u kryen në zonën e Zall Herrit dhe grupi i fëmijve nga vajza dhe djem të shkollës së fshatit, me të cilët Alesia, falë aftësive të saj, arriti të përshtatej në mënyrë të përkryer.
“Nuk kisha shumë vështirësi se kur një gjë e bëj me dëshirë, nuk lodhem. Isha më shumë e lumtur.”, - vijon Ruçi.
Për Muratajn ajo çfarë ka rëndësi në këtë film nga pikëpamja aktoriale ishte krijimi i një ansambli dhe atmosfere, ku të gjithë patën kontribute të vyera.
“Kishim aktorë nga të gjitha trevat shqiptare. Drita vinte nga Maqedonia e Veriut, Alesia nga Tirana, Astrit Alihajdaraj, me origjinë nga Kosova vinte nga Austria, Bislim Muçaj nga Kosova dhe ishte shumë interesante, që të gjithë këta bëjnë një familje së bashku në film.”, - thotë Murataj.
Në kastin e filmit bëjnë pjesë dhe aktorë, si: Basri Llushtaku, Klodian Hoxha, Adem Karaga, Armond Morina, Valina Muçolli të cilët sjellin karaktere të spikatura. Gjithashtu veç grupit të punës të përbërë me krijues nga e gjithë Evropa, në film ka dhe aktrorë të tjerë shqiptarë që vijnë nga Greqia, Italia, Austria.
Ndërkohë është për t’u shënuar që në ekipin e filmit, në rolet kryesore kreative, duke filluar që nga drejtorja e fotografisë, kostumografia, grimi etj. kanë punuar gra dhe vajza nga e gjithë Evropa
Për Andamionin, njëherësh edhe skenarist dhe producent kryesor i filmit, premiera botërore në festivalin e Sarajevës është diçka e rëndësishme, për më tepër, që në festival marrin pjesë shumë autorë nga rajoni, me të cilët në vijimësi ndajnë eksperiencat në kuadër të Balkan Film Market, të cilin ai e drejton.
“Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e festivalit në të cilin do të bënim premierën. Ka një arsye pse refuzuam disa festivale për të zgjedhur Sarajevën pasi ngjarja jonë është ngjarje lokale dhe bën kuptim në kulturën ballkanike. Është shumë interesante, se jemi përballë kolegëve nga ky rajon dhe sjellin histori të këtij karakteri.”, - shpjegon regjisori Murataj.
Festivali i 31-të i Filmit në Sarajevë do të mbahet nga 15-22 gusht. Ai do të hapet me filmin “The Pavilion” (Pavijoni), me regji të regjisorit të njohur boshnjak Dino Mustafic. Regjisori italian Paolo Sorrentino do të marrë Çmimin e Nderit “Zemra e Sarajevës”, ndërsa me çmime do të nderohen edhe aktori suedez Stellan Skarsgård dhe aktori amerikan Willem Dafoe.
Filmi “Burri i shtëpisë” i cili ëshë zyrtarisht i certifikuar si “green production” nga një prej agjencive më në zë evropiane, do të ketë premierën e tij mbrëmjen e 19 gushtit.
Komente
