Bursat europiane rriten, pasi Rusia tërheq disa trupa që ishin afër Ukrainës

16 Shkurt 2022, 07:29| Përditesimi: 16 Shkurt 2022, 07:31

  • Share

Rusia po kthen disa trupa në baza pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake, tha të martën ministria e Mbrojtjes, duke sinjalizuar njëfarë tërheqje ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës.

Aksionet europiane dhe aksionet amerikane u rritën ndërsa çmimi i naftës ra pas lajmeve se njësitë nga rrethet ushtarake jugore dhe perëndimore të Rusisë po ktheheshin në bazë pas përfundimit të stërvitjeve.

“Repartet e rretheve ushtarake jugore dhe perëndimore, të cilat kanë përfunduar detyrat e tyre, tashmë kanë filluar të ngarkojnë pajisjet në transportin hekurudhor dhe rrugor dhe sot do të nisin lëvizjen për në garnizonet e tyre ushtarake. Njësitë individuale do të marshojnë vetë si pjesë e kolonave ushtarake”, tha Igor Konashenkov, zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes.

“U kryen sipas planit një numër aktivitetesh stërvitore luftarake, duke përfshirë stërvitjet. Me përfundimin e stërvitjeve luftarake, trupat, si gjithmonë, do të kryejnë marshime të kombinuara drejt pikave të tyre të vendosjes së përhershme”, theksoi ai.

Indeksi i aksioneve të Europës Stoxx 600 u rrit 1.1 për qind në fillimin e tregtimit, një ndryshim i mprehtë nga rënia e së hënës, që u nxit nga një paralajmërim i SHBA-së se një pushtim rus i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm. Kontratat e së ardhmes S&P 500 të SHBA u rritën 1.1 për qind.

Rubla e Rusisë gjithashtu u rrit me 1.5% ndaj dollarit amerikan pas këtyre lajmeve, ndërsa monedha e Ukrainës, hryvnia, avancoi 1 për qind. Tregtimi të martën ishte në kontrast me një ditë më parë, kur tregjet kryesore të aksioneve u goditën nga shqetësimet se Rusia mund të pushtonte Ukrainën në ditët në vijim.

Të hënën, Sergei Shoigu, ministri rus i mbrojtjes, tha se kishin përfunduar disa stërvitje ushtarake dhe të tjera ishin duke përfunduar, ndërsa ministri i jashtëm Sergei Lavrov i tregoi Presidentit Vladimir Putin perspektivat e një rruge diplomatike.

Rusia po kryen gjithashtu stërvitje të përbashkëta ushtarake në Bjellorusi që do të vazhdojnë deri më 20 shkurt.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz do të shkojë në Moskë të martën për bisedime me Putinin, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për të shmangur konfliktin mbi Ukrainën.

Në javët e fundit Rusia vlerësohet të ketë mbajtur një forcë prej më shumë se 100,000 trupash pranë Ukrainës, ndërsa 30,000 të tjerë kanë marrë pjesë në stërvitje në Bjellorusinë fqinje./ Monitor

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?