Ditmir Bushati

Politikë

Bushati - Ćerimagić: Zgjerimi i BE-së, shpresë apo iluzion?

11 Tetor, 17:18| Përditesimi: 11 Tetor, 17:22

  • Share

Ditmir Bushati në bisedën e radhës në Public Square diskutoi me Adnan Ćerimagić nga Nisma për Stabilitet Europian mbi temën; Zgjerimi i BE-së: shpresë apo iluzion?

Bushati dhe Ćerimagić u ndalën gjerësisht tek deklarimet e zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian, të cilët kanë përmendur vitin 2030 si objektiv të anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Të dy theksuan se këto deklarime nuk përputhen me përmbajtjen e vetë raporteve vjetore të Komisionit Europian, që vlerësojnë ecurinë e reformave dhe nivelin e përputhshmërisë me standardet e BE-së

Ata ndanë bindjen se, krahas inkurajimit nga Komisioni Europian, procesi i zgjerimit nuk mund të realizohet pa përfshirjen aktive të vendeve anëtare të BE-së dhe pa kryerjen e reformave të thella në vendet kandidate. Sipas tyre, shtetet anëtare ende nuk janë të angazhuara për një datë konkrete anëtarësimi, e cila duhet të shoqërohet me plane reale reformash dhe mbështetje të strukturuar financiare

Në vijim të debatit, u theksua se “Plani i Rritjes” dhe “Agjenda e Reformave” të Komisionit Europian nuk janë instrumente që garantojnë anëtarësimin, por mekanizma mbështetës që synojnë afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me nivelin e trajtimit të Ukrainës dhe Moldavisë. Ćerimagić theksoi se, megjithëse këto plane sjellin disa risi në fushën ekonomike, ato nuk do të mundësojnë transformimin strukturor dhe demokratik të rajonit, për sa kohë mungon energjia politike dhe angazhimi i administratave publike në zbatimin e reformave

Në përfundim, Bushati theksoi se vetëm një kombinim midis vullnetit politik të shteteve anëtare dhe reformave reale në rajon mund të shmangë zhgënjimin e pritshëm të procesit të zgjerimit, duke e kthyer Ballkanin Perëndimor në një pjesë funksionale të familjes europiane, dhe jo thjesht në një periferi të saj.

 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?