"Busking Balkans: Albania 2025", festivali i artit të rrugës me interpretues të shquar ndërkombëtarë do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri në datat 15 e16 maj në Vlorë dhe 17 e 18 maj në Tiranë. Ai vjen si një festë katërditore e arteve performuese të rrugës, duke përfshirë muzikën live, futbollin freestyle, disiplinat e cirkut si komedia, akrobacia, zhonglimi, magjia dhe shumë të tjera.
Festivali është një prodhim i përbashkët i balkanbusker.com dhe Małgorzata Węglarz (Busker.pl).
"Vitet e fundit, festivalet e busking janë bërë pjesë integrale e jetës kulturore të qyteteve në mbarë botën. Deri më sot, Shqipëria nuk ka organizuar evente të ngjashme, duke na lënë jashtë skenës europiane të performancave në rrugë. Festivali synon të kthehet në event të përvitshëm dhe të zërë vend si një pikë kyçe në kalendarin kulturor të rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Këtë vit po fillojmë në dy qytete: Vlorë dhe Tiranë, dhe synojmë të zgjerohemi në qytete të tjera, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje"., - thotë Florian Agalliu (balkanbusker.com).
"Busking Balkans" është kuruar nga një drejtoreshë artistike dhe producente e festivaleve të rrugës, Małgorzata Węglarz (Busker.pl) nga Polonia.
"Mezi pres të sjell artistë të rrugës nga e gjithë bota në Shqipëri, duke ndihmuar në promovimin e kulturës busking dhe ndërtimin e komunitetit të entuziastëve të artit të rrugës në vende të reja. Qëllimi ynë nuk është vetëm të prezantojmë shfaqje, por edhe të frymëzojmë njerëzit të mësojnë disiplina të reja cirku dhe të inkurajojmë artistët të performojnë në rrugë. Shfaqjet e busking kombinojnë zhanret artistike dhe cirkun, aftësitë dhe personalitetet. Në asnjë skenar tjetër, interpretuesi dhe audienca nuk janë kaq afër me art kaq të aksesueshëm për të gjithë. Të gjithë artistët që kam zgjedhur janë gati të shfaqin aftësitë dhe idetë e tyre dhe të ndajnë pasionin dhe shpirtin e busking, duke gërshetuar skenarët e planifikuar dhe improvizimin për t’i kthyer kalimtarët në audiencë.'Busking Balkans', i ngjashëm me 'Busker Tour' që unë drejtoj në Poloni, është një festival udhëtues dhe ne planifikojmë të shtojmë më shumë qytete në të ardhmen dhe të fillojmë një traditë të re që hapja e sezonit europian të eventeve 'busking' të fillojë në Ballkan"., - thotë Weglarz.
Duke synuar ndërveprimin e audiencës me artistët, ashtu si ndodh me artin e rrugës, ku artistët i sigurojnë fitimet kryesore në formën e dhurimeve ose bakshisheve nga audienca, organizatorët kërkojnë vlerësim ndaj tyre.
"Duke ua kursyer mundimin e mbartjes së qeseve me monedha, do t’ju sugjeronim që – në interesin e tyre – kryesisht të hidhni kartëmonedha në kapelat e tyre.", - nënvizojnë ata.
Formacioni
Cesco | Itali/Tajlandë | Kloun
DEANisHOME | Bullgari | Muzikë
Gato Blanco Gato Negro | Argjentinë | Cirk: Gjuajtje me hark, zhonglim, kloun
Ian Deadly | Mbretëria e Bashkuar | Cirk: Zhonglim, komedi, hula-hop
Juggling Dom | Australi | Cirku: Zhonglim, ecje në litar
Plucie Ogniem | Poloni | Shfaqje zjarri
Richard Filby | Australi | Cirku: Rola bola, zhonglim
Stefan Florescu | Rumani | Futboll freestyle, diabolo
TENTA | Japoni | Magji
Orari
15 maj, Vlorë Lungomare, Hapja e Aktivitetit dhe shfaqja e parë nga ora 18:00 deri në 22:00;
16 maj, Vlora Lungomare, shfaqja e paradites 10:00 - 13:00 dhe shfaqja e mbrëmjes 18:00-22:00.
17 maj, Tiranë, Piramida dhe Parku Rinia, shfaqja e mbrëmjes 18:00-22:00;
18 maj, Tiranë, Piramida dhe Parku Rinia, shfaqja e paradites 10:00 - 13:00 dhe shfaqja e mbrëmjes 18:00-22:00.
Komente
