Pak para se të niste mbledhja e Këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të diskutohej buxheti 2024, kryebashkiaku Erion Veliaj përmes një videomesazhi thekson se buxheti është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar.
“Hej përshëndetje! Është mbledhja e fundit e vitit në këshillin bashkiak për buxhetin, një buxhet 10 herë më i madh se ai që gjetëm në vitin 2015, sepse edhe Tirana ka 10 herë më shumë nevoja, por është edhe 10 herë më e pastër, ka 10 herë më shumë shkolla, ka 10 herë më shumë aktivitete dhe jemi 10 herë më shumë krenarë për gjithë punët që duam të bëjmë në Tiranë. Në këtë buxhet ne duam që të kalojmë përfundimisht investimet në shkollat e “Astirit”, shkollat e Liqenit të Thatë edhe të Saukut, që kanë qenë dilema dhe gjyqe të prapambetura, që tashmë i kemi fituar dhe kemi të gjithë përgatitjen për të filluar punën. Ndërkohë që për herë të parë ne marrim grantin më të madh në historinë e Bashkisë së Tiranës, 31 milionë euro nga Bashkimi Europian, që bashkë me kredinë e KFË-së, do të transformojë transportin publik në Tiranë dhe do modernizojë të gjithë linjat e autobusëve duke filluar nga 3 të parët: Linja e Unazës, Linja Kombinat – Kinostudio dhe Linja e Tiranës së Re”, thekson Veliaj.
Në videomesazhin e tij, kryebashkiaku Veliaj deklaron se investimet do të vijojnë për të shtuar më shumë çerdhe e kopshte, ndërsa Tirana po përgatitet për të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, e njohur ndryshe si B40.
“Në finale duam të shtojmë çerdhet, kopshtet dhe duam që këtë mandat të kapim dhe 1 milionë pemë të tjera duke filluar me mbjelljet që këtë vit, duke qenë se dhe koha është ideale për të mbjellë. Për të vazhduar pastaj me përfundimin e Parkut të Farkës dhe për t’u siguruar që Tirana është e përgatitur për të pritur B40 vitin tjetër, që do të jetë hapësira më e madhe e bashkive që mblidhen në Tiranë, koncepton ide në Tiranë, bashkëpunon në Tiranë dhe për t’u përgatitur për atë që është surpriza më e madhe në 2025-ën, Tirana është Kryeqyteti Europian i Mesdheut. Duam që ta presim me dinjitet, me infrastrukturë, edhe me shumë dashuri”, shprehet Veliaj.
Mirëpo mbledhja e Këshillit Bashkiak u mbyll për shkak të një incidenti, ku këshilltari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i vendosi Veliajt një palë pranga në mikrofon teksa ai fliste. Ndërsa, buxheti u miratua pa diskutime.
Lajmi kryesor:
Miratohet buxheti i 2024 për Bashkinë Tiranë! Blushi i tregon prangat Veliajt, policët e nxjerrin jashtë! Kryebashkiaku: Po afrohen te zyra e PL-së, i keni me gëzof për Ilirin
SI.E./ReportTv.al