Buxheti 2025, Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë: Projektet e vjetra na konsumojnë padrejtësisht paratë e buxhetit të ri! Duhet rregulluar siç e kërkon ligji

11 Nëntor, 17:00| Përditesimi: 11 Nëntor, 23:04

  • Share

Buxheti i vitit 2025 për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë rezulton të jetë "i kafshuar" thotë kryetari Eol Çashku kjo sepse institucioni rezulton në borxhe të mbartura vit pas viti. Projektbuxheti i Qendrës Kinematografike për 2025  parashikon rreth 180 milion lekë, ashtu si një vit më parë. Por pagesat e projekteve të shkuara bëjnë që ky fond të konsumohet. Kryetari i QKK-së vëren se sfida më e madhe për të zgjidhur këtë problem mbetet zbatimi i kuadrit ligjor që është i qartë dhe për këtë.

“Në vend që QKK-ja të mbartë fondet e kontraktuara, por që ngelen të lira, pasi projektet kanë një kohështrirje prej tre vjetësh, pra, në vend që këto fonde të dismbursohen nga buxheti i shtetit dhe të menaxhohen nga QKK -ja, siç ia kërkon ligji, deri më sot janë mbartur borxhet dhe nuk janë mbartur fondet.”, - thotë Çashku. 

Çashku vëren se që prej 1997-ës janë financuar rreth 416 projekte kinematografike, krahasuar me periudhën e Kinostudios ‘Shqipëria e Re’, nga 1952-1992, kur janë prodhuar 308 filma, por cilësia e filmave pas '97-ës, sipas tij është më e dobët.

“Sot një pjesë e madhe e produkteve filmike, financuar me fonde të shqiptarëve përmes QKK, nuk qarkullojnë kryesisht për shkak të cilësisë së dobët dhe kjo ka ardhur për mendimin tim si pasojë e menaxhimit të QKK-së dhe buxheteve të saj, imponuar deri më sot nga Ministria e Financave.”, - vijon ai.

Çashku bën me dije se tashmë kanë filluar përpjekjet për zbatimin e kuadrit ligjor dhe po negociohet me Ministrinë e Financave, që të kuptohen parimet e përjashtimit kulturor evropian. Ndërkohë, për herë të parë ka filluar edhe regjistrimin e distributorëve të produktit audioviziv në vend.

“Duhet thënë që pak a shumë filmi dhe produktet audiovizuale kanë qarkullar si produkte pa pullë, të pafiskalizuara, pavarësisht se arrijnë të gjenerojnë të ardhura për buxhetin e shtetit.”

Sipas kryetarit të QKK-së, nga relacioni i marrë në QKB vetëm nga tatimi për vlerën e shtuar dhe tatim fitimi në kinematë e Tiranës, produktet kinematografike në vend gjenerojnë të ardhura në masën rreth 218 milionë lekë.

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?