Moment nga mbledhja te Komisioni për Çështjet Ligjore
U dëgjua sot raporti i Gjykatës Kushtetuese për buxhetin 2025 te Komisioni për Çështjet Ligjore, ku i pranishëm ishte sekretari i institucionit, Eugen Papandile.
Teksa theksoi se buxheti plotëson kërkesat kryesore të prezantuara, ai ngriti edhe një shqetësim për mbingarkesën nga ankimimet, që më tej detyron kërkesën për staf të shtuar të specializuar. Dhe për këtë kërkoi fond shtesë me 15 mln lekë në paga e sigurime.
“Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë, jo vetëm në vendime juridike, por edhe në burime financiare, për të shmangur çdo ndikim të jashtëm nga pushtete të tjera. Duam të sjellim në vëmendje disa kërkesa që kanë të bëjnë me fondin e pagave dhe sigurimeve dhe me shpenzimet operative. Fondet e akorduara për 2025 tek shpenzimet e personelit, janë në shumën e 192 mln lekë. Referuar statistikave të 5 viteve të fundit, numri i çështjeve në gjykatën kushtetuese nga 50 në 2019, këtë vit parashikohet në 450 të tilla”, tha Papandile në fjalën e tij të prezantimit në dëgjesë.
Ai shpjegoi se mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur krijimin e Drejtorisë së kërkimeve, studimeve dhe botimeve me një përbërje prej 5 punonjësish.
“Lehtëson punën studimore dhe kërkimore, pa ngarkuar gjyqtarët dhe këshilltarët duke qenë se edhe numri i ankimeve është rritur. Kërkesë për tna mundësuar ngritjen dhe funksionimin e kësaj drejtorie”, u shpreh ai.
Më tej shpjegoi edhe çështjen e shpenzimeve operative për anëtarët e Komisionit:
“Gjykata Kushtetuese në muajin Maj të 2024 është zgjedhur kryesuese e konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane që përbëhet nga 40 të tilla. Gjatë këtij kryesimi në Shqipëri do të ketë organizime të ndryshme dhe për këtë shkak duhen fonde shtesë që nuk janë parashikuar nga ministria e financave. Kërkojmë shtesë në vlerën totale 14 mln e 957 mijë lekë”.
Lajmi kryesor:
Çështjet Ligjore/ Debate për buxhetin, deputetja e PD-së sulmon Gjykatën Kushtetuese: Duhet ta rrëzonit marrëveshjen antikombëtare Rama-Meloni! Bushka: Respektoni vendimet e Drejtësisë
A.Q/ReportTv.al