Erisa Xhixho

Buxheti 2025/ Xhixho e PL: Thellon varfërinë, pjesa më e madhe e parave te punët publike, sepse vidhen më lehtë! Rajoni pensione dyfish nga Shqipëria

22 Nëntor, 16:06| Përditesimi: 22 Nëntor, 16:09

  • Share

Partia e Lirisë ka sulmuar përsëri sot Buxhetin 2025 të kaluar nga mazhoranca me shumicë votash në Parlament dhe që aktualisht po diskutohet dhe votohet nen për nen në Komisione.

Edhe ditën e djeshme PL dorëzoi 15 amendamente për buxhetin, ku kërkoi rritje rrogash, pensionesh, investimesh në shëndetësi dhe arsim, si dhe heqjen e PPP-ve.

Ishte nënkryetarja e partisë, Erisa Xhixho, ajo që doli sot (22 Nëntor) për të deklaruar se ky buxhet “thellon varfërinë”, me qëllim të dukshëm vijimin e korrupsionit.

Xhixho shprehet se zërin më të madh e zënë punët publike, pasi sipas saj, “mund të vidhen më lehtë paratë e shqiptarëve”. 

Teksa thekson se “pensionistët u tallën me një indeksim 4,1%. Drejtuesja e PL bëri edhe një krahjasim me pensionet në rajon, duke kujtuar se janë dyfishi i atyre në Shqipëri.

Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:

“Buxheti i vitit 2025 thellon më tej varfërinë e shqiptarëve. Mënyra si qeveria ka vendosur t’i shpërndajë fondet është prova më e qartë se barrën e korrupsionit të saj do ta mbajnë pensionistët dhe shtresat në nevojë. 

Pjesa më e madhe e buxhetit 2025 shkon për punët publike. Dhe jo rastësisht, pasi është zëri përmes së cilit mund të vidhen më lehtë paratë e shqiptarëve. Qeveria ka planifikuar që për vitin e ardhshëm, plot 777.2 miliard lekë të shkojnë për projektet korruptive PPP.

Ndërkohë, nga ana tjetër, pensionistët u tallën me një indeksim 4.1%, që është jo më shumë se një panine në ditë. Pensionistët, kjo kategori që e ka votuar Partinë Socialiste, sot janë më të zhgënjyer se asnjëherë. Sepse me këtë buxhet, qeveria po i zhyt akoma më thellë në varfëri. 

Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 160 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro. Indeksimi me vetëm 4.1% është tallës në krahasim me rritjen 20% që bëri qeveria e Kurtit ne Kosovës, me një buxhet sa gjysma e atij që ka qeveria e Edi Ramës. 

Shqiptarëve u merren paratë gjatë gjithë vitit, por ky buxhet nuk jep asgjë mbrapsht. Shqipëria është vendi me normën më të lartë të TVSH-së për ushqimet me 20%, në një kohë kur Kosova e ka 8%, Mali i Zi 7% e Serbia 10%. Para ka, por ato nuk shkojnë te pensionistët.  

Sipas Eurostat, për një person të rritur mbi 65 vjeç ose në pension, niveli i varfërisë për Shqipërinë vlerësohet në 69%, për Serbinë në 48.9% dhe Malin e Zi 27.6%. Nëse bëjmë një krahasim me vitin 2013, pensionistë marrin sot 30% më pak pasi çmimet janë rritur dhe pensionet nuk kanë ndryshuar fare. Kjo është e vërteta e hidhur që e ndien sot çdo pensionist që nuk i del të blejë ilaçet apo të paguajë energjinë. 

Është fakt që qeveria nuk i ka rritur pensionet.  Bonuset që ka parashikuar qeveria për ta nuk janë gjë tjetër veçse lëmoshë elektorale. Qeveria po tallet sërish me një brez që i ka pasur familjarët dëshmorë të atdheut, që kanë dhënë gjak për pavarësinë dhe çlirimin e vendit.  Asnjë shpresë nuk u jep qeveria as familjeve në nevojë. Për vitin e ardhshëm jo vetëm që nuk është parashikuar rritje, por fondet për familjet me ndihmë ekonomike do të ulen me -9.2% . Nga ana tjetër, qeveria nuk e kursen luksin për vete. Plot 75.1 miliard lekë ose një rritje me 3.9% është parashikuar për shpenzimet operative të luksit.

Ky buxhet nuk ka parashikuar asnjë lek për të mbështetur të papunët, ndërsa fondet për shtresat në nevojë ulen me 7.3%. Buxheti i kujdesit social po ashtu ulet me 2.1 miliardë lekë, sepse qeverisë i duhen paratë për klientët e vet. Buxheti i shëndetësisë nuk premton shërbim më të mirë se ai që iu dha gjatë këtij viti qytetarëve shqiptarë. Fondi prej 2.5% e PBB, i parashikuar për shëndetësinë, do të mbajë të hapura vatrat e vjetra të korrupsionit e do të hapë të reja. Nuk ka asnjë reflektim për skandalet si ai i Onkologjikut, sepse shëndetësia nuk buxhetohet. Sipas OBSH, shqiptarët paguajnë nga xhepi të paktën 60% të shpenzimeve shëndetësore. As me buxhetin e ri, kjo nuk ka gjasa të ndryshojë. 

Qeveria sërish nuk e ka prioritet arsimin. Dhe është e kuptueshme pse: nuk e ka pasur kurrë prioritet. Buxheti i vitit të ardhshëm është sërish më i ulëti në rajon dhe nuk mbështet investimet në asnjërin prej niveleve të tij. Për vitin e ardhshëm, investimet në arsim për vitin 2025 do të jenë:     

-Arsimi bazë 0%
-Arsimi i mesëm 0%
-Arsimi i lartë -11.9%
-Kërkimi shkencor -22.8%
-Sporti 1.3%

Është e turpshme, sesi një qeveri që i sheh t’i boshatisen përditë shkollat dhe universitetet, t’i ulet numri i mësuesve e nxënësit të renditen të fundit për nivelin e dijeve në testet PISA, të mos reflektojë duke buxhetuar arsimin. Është akoma më e turpshme që siguria në shkolla është në nivele alarmante. Humbja e Martinit 14-vjeçar është këmbana më e fortë e alarmit se asnjë prej strukturave që garantojnë jetën dhe sigurinë e fëmijëve tanë në shkolla nuk funksionon. 

Por nëse nuk mbështet qytetarët, pensionistët, familjet në nevojë dhe të papunët, arsimin apo shëndetësinë, çfarë mbështet ky buxhet? Përmes cilëve zëra do të nxitet rritja ekonomike dhe do të përmirësohet jeta e qytetarëve? 

Ky është buxheti që mbështet dhe u shërben oligarkëve, përfituesve të tenderave publikë e koncesioneve dhe investitorëve strategjikë. Në pjesën më të madhe të tij, buxheti prej 8.2 miliardë eurosh shkon për projekte infrastrukturore, tendera ku kostot fryhen në mënyrë fiktive, dhe paratë shkojnë aty ku kanë shkuar gjithnjë: në xhepat e klientëve të qeverisë.

Ky është buxheti që lë shqiptarët pa para, pa shërbime shëndetësore dhe pa arsim, duke i detyruar edhe ata që nuk e kanë menduar deri tani largimin, të bëjnë gati valixhet! Ne do të propozojmë amendimet tona si Parti e Lirisë, në mënyrë që nga buxhet në shërbim të oligarkëve, të kthehet në buxhet në shërbim të qytetarëve".

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?