Buxheti Faktik 2018 ndryshon nga parashikimet r bëra në fund të 2017-ës, kur u hartua dhe u miratua në Kuvend projekti fillestar, por edhe nga dy amendimet e bëra më vonë gjatë vitit. Në përgjithësi, krahasuar me një vit më parë, shifrat janë në rritje, por janë më të ulta në shumicën e zërave nga ajo që ishte planifikuar.
Sipas materialit të depozituar tashmë në Kuvend, të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për vitin 2018 ishin 449.5 miliardë lekë, ose 19.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Rritja e të ardhurave të buxhetit të shtetit për vitin 2018, krahasuar me vitin paraardhës, ishte rezultat i rritjes së punësimit, aktivitetit të biznesit privat dhe rritjes së konsumit të brendshëm; si edhe si rezultat i përmirësimit të performancës së mbledhjes së të ardhurave në kuadër të reformës së konsolidimit të financave publike. Por realizimi ishte 9% më i ulët se buxheti fillestar i vitit 2019, kryesisht prej efektit të ndryshimit të kursit të këmbimit të monedhave USD dhe EURO kundrejt monedhës vendase, si edhe uljes së importeve në disa sektorë kyç të ekonomisë si energjia dhe projekti TAP, theksojnë Financat.
Ndihmat
Të ardhurat nga ndihmat për periudhën janar-dhjetor 2018 ishin 8.2 miliardë lekë, nga 11.1 miliardë lekë të një viti më parë, duke pësuar rënie në masën 26.6 për qind, ose 2.9 miliardë lekë dhe me realizim ndaj planit fillestar në masën 56 për qind.
Pushteti vendor
Të ardhurat nga bashkitë u realizuan në masën 21.9 miliardë lekë, rreth 16 për qind, ose 3 miliardë lekë më shumë se të ardhurat e planifikuara për vitin 2018 dhe 3.4 miliardë lekë (18.5 për qind) më shumë krahasuar me të ardhurat e tyre gjatë vitit 2017. Rritja kryesore e të ardhurave të pushtetit vendor ka ndodhur për shkak të rritjes së taksave (dhe tarifave) vendore me 3 miliardë lekë, krahasuar me 2017-ën; ose 6 miliardë lekë në krahasim me planin 2018 (+58%). Të ardhurat nga taksa e pasurisë janë rritur 6 për qind në krahasim me një vit më parë; por nuk kanë arritur pritshmëritë e realizimit më të lartë në krahasim me planin fillestar 2018 (-3 miliardë lekë).
Fondet speciale
Të ardhurat nga Fondet Speciale rezultuan 93.2 miliardë lekë, me një realizim ndaj planit fillestar në nivelin 105.8 për qind, ose 5.1 miliardë lekë më shumë dhe 6.4 miliardë lekë, apo 7.3 për qind më shumë se sa një vit më parë. Zërat që përbëjnë të ardhurat nga “Fondet Speciale” janë: Sigurimi Shoqëror, Sigurimi Shëndetësor dhe të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve, përkatësisht në vlerën 79.4 miliardë lekë, 12.4 miliardë lekë dhe 1.3 miliardë lekë.
Të ardhurat jotatimore
Të ardhurat jotatimore rezultojnë në vlerën 22 miliardë lekë krahasuar me 20.7 miliardë të një viti më parë, me një rritje vjetore prej 6.4 për qind, ose 1.3 miliardë lekë më shumë dhe me një realizim ndaj planit në masën 85.4 për qind ose 3.8 miliardë lekë më pak. Zërat që përbëjnë të ardhurat jotatimore janë: “Transferimi i fitimit nga Banka e Shqipërisë”, “të ardhurat nga institucionet buxhetore”, “dividendi” i institucioneve me kapital shtetëror dhe “tarifa shërbimeve dhe të tjera”.
Tatimet e Doganat
Të ardhurat nga Tatimet dhe Dogana janë burimi kryesor i të ardhurave të përgjithshme dhe kontribuojnë në buxhetin e shtetit me rreth 18.7 për qind të PBB-së. Krahasuar me një vit më parë, ky zë shënoi një performancë pozitive në vlerën 10.9 miliardë lekë, ose 3.7 për qind më shumë. Por në krahasim me planin, realizimi ishte 96% e atij fillestar, ose 98 për qind e planit të rishikuar vjetor, duke rezultuar në 304.3 miliardë lekë, nga 311 miliardë lekë të planifikuara.
Këto të ardhura, të cilat administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD), përfshijnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; Tatimin mbi fitimin; Tatimin mbi të ardhura personale; akcizat; taksat doganore dhe taksa të tjera kombëtare.
Të ardhurat nga Administrata Doganore për vitin 2018 arritën në 161 miliardë lekë, me një realizim në masën 93.3 për qind të planit vjetor fillestar dhe 96.1 për qind të planit të rishikuar. Ndërsa të ardhurat nga “Administrata tatimore” (përfshirë kontributet) rezultojnë 232.2 miliardë lekë, nga 217.7 miliardë lekë të një viti më parë, me një rritje vjetore prej 6.7 për qind, ose 14.5 miliardë lekë dhe me një realizim ndaj planit të periudhës në masën 100.3 për qind ose 0.8 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2018, arritën në rreth 476.1 miliardë lekë me një realizim në masën 95.8 për qind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar (96.3 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.2 datë 19.12.2018 (AN nr.2). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë ka rezultuar 3.2 për qind më i lartë, ose rreth 14.7 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet e përgjithshme për vitin 2018 përbëjnë 28.86 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto. Shpenzimet e përgjithshme kanë ruajtuar një nivel të qëndrueshëm ndër vite kundrejt PBB-së, me një nivel mesatar prej rreth 30 përqindësh.
Shpenzimet kapitale (investimet) për vitin 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 78.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 14.6 për qind më i lartë, ose rreth 9.98 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet për Papunësinë për vitin 2018 rezultojnë me një ulje në masën 2.9 për qind, ose 10 milion lekë më pak në terma nominalë. Shpenzimet për Ndihmën Ekonomike dhe Pagesën e Paaftësisë (PAK) për vitin 2018 rezultojnë me një ulje në masën 0.2 për qind ose 43 milionë lekë më pak në terma nominalë. Kurse kompensimi për ish-të përndjekurit politikë u realizua në masën 49.9 për qind të planit vjetor fillestar, rreth 1.3 miliardë lekë më pak në terma nominalë.