Buxheti i Ministrisë së Brendshme për vitin 2025 pritet të jetë 20% më i lartë se ai i vitit aktual, me një vlerë totale prej 31 miliardë lekësh, ose 310 milionë euro. Në prezantimin e buxhetit në Komisionin e sigurisë, vetë ministri i Brendshëm Hoxha, njohu ligjvënësit me detajet, duke veçuar faktin që më shumë se 80% e parave për dikasterin që drejton do të shkojnë për uniformat blu, ku ‘pjesën e luanit’ e kanë pagat.
“Policia e Shtetit në buxhetin 2025 parashikohet të ketë një rritje në masën 22% krahasuar me vitin 2024. Brenda kësaj rritje, investimet janë në shumën 2,4 miliardë lekë, ose me rritje 48 %, në raport me planin e buxhetit të këtij viti”, tha ministri Hoxha.
Disa godina drejtorish qarqesh dhe komisariatesh janë në plan të rikonstruktohen me paratë e buxhetit të 2025-ës.
“Përmes këtij buxheti, financojmë disa projekte në vijim nga viti i kaluar, siç janë rikonstruksioni i Drejtorive të Policisë Elbasan dhe Berat; ndërtimi dhe rikonstruksioni i Komisariateve Sarandë, Krujë dhe Kurbin, si dhe i Stacioneve Policore Patos e Roskovec, në DVP Fier”.
Një tjetër projekt ambicioz është “Smart City”, për instalimin e kamerave për policinë, i cili do të kapë vlerën e 13 milionë euro.
“Projektbuxheti që prezantojmë sot, siguron financimin e një projekti tepër të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, “Sistemi i Kamerave në administrim të Policisë së Shtetit-Smart City”, vijoi ministri i Brendshëm.
Në buxhet garantohet vijimësia e dhënies së kompensimi ushqimor për policinë, 10 milionë euro në total dhe orët shtesë në 5.8 milionë euro.
Sa i përket institucioneve të tjera të varësisë në Ministrisë së Brendshme, Garda e Republikës ka rritje me 13% në buxhet, AMP me 3.4%, ndërsa Gjendja Civile me 55%, përmirësim të infrastrukturës hardëare dhe softëare të Regjistrit Kombëtar dhe në kuadër të përgatitjeve për procesin elektoral të pranverës së ardhshme.