Shpëtim Duro

'Buxheti i tyre 20 herë më i lartë', Shpëtim Duro për historinë: Të kalojmë turin

18 Korrik 2023, 13:39
  • Share

Kampionët e Maqedonisë së Veriut, Struga luan sot në 17:00 kundër Zalgiris të Lituanisë, për ndeshjen e kthimit në turin e I të Champions League. Skuadra shqiptare drejtohet nga Shpëtim Duro, me trajnerin që beson se do shfrytëzohet barazimi 0-0 në ndeshjen e parë në transfertë.

"Ne, si ekip, nuk fluturojmë shumë, madje jemi shumë modestë në të gjitha aspektet dhe në të gjitha pikëpamjet, të drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe futbollistëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që pavarësisht paraqitjes së mirë dhe rezultatit pozitiv, çdo gjë është e hapur", tha Duro fillimisht.

Trajneri tha se Zalgiris është favorite në këtë duel, teksa kërkon që me lojën e mirë të tregojnë se gjithçka vendoset në fushë.

"Favoritët? E dimë se kundërshtari ka një një eksperiencë të jashtëzakonshme në ndeshjet europiane. Zalgiris është favorit ndaj nesh, si nga eksperienca, buxheti, që mund të them se është 20 herë më shumë se i Strugës. Këtë e dëshmoi edhe gjatë sezonit të kaluar, duke shkuar deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke eliminuar skuadra si Malmo, Ballkanin, etj. E thashë, në futboll sidomos ndeshja e parë tregoi që nuk kishte shumë diferencë në fushën e lojës, shpresoj edhe kjo ndeshje të jetë interpretimi i atillë, që i gëzon këto favore që ka kundërshtari", tregoi trajneri.

Duro kërkon edhe një mbështetje nga tifozët, me duelin që luhet në stadiumin e Ohrit. Nga të dhënat e fundit, të gjitha biletat janë shitur.

"Tifozët? Shpresoj që stadium të jetë i mbushur, për aq sa na lejon rregullorja, ne i kemi vuajtur gjatë kampionatit, pasi jemi skuadër e re", tha Duro.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?