Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, sot në Komision
Avokati i Popullit kërkon te Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, mbështetje për 3 persona staf dhe fond për mbrojtjen e sigurisë kibernetike. Kryetarja Erinda Ballanca u shpreh se për vitin 2025 buxheti parashikon 196.9 mln lekë, teksa ka nevojë edhe për shtesa.
Ballanca trajtoi edhe çështjet problematike të krijuara si pasojë e reformës në drejtësi dhe vetingut, pasi ka krijuar zvarritje çështjesh dhe mbingarkesë dosjesh te gjyqtarët, duke shkaktuar edhe cenim të të drejtave të njeriut. Përgjigja krijoi tension për shkak se u kalua në një çështje tjetër jashtë rendit të ditës.
Ballanca u mbështet edhe nga deputeti opozitar Oerd Bylykbashi, që tha se janë krijuar 138 mijë çështje të pazgjidhura në Gjykata dhe se ata kishin të drejtë kur thoshin se Vetingu do krijojë ngërç dhe probleme për qytetarët.
“Avokati i Popullit e ka shtuar aktivizimin, numrin e ankesave dhe rekomandimeve. Në vitin e ardhshëm do të jemi në procesin e riakreditimit, që bëhet çdo 4 vite nga organizatat e OKB. Në 2025-ën do të jetë akreditimi i radhës dhe dy nga detyrat kryesore që janë lënë ka qenë rritja e kapaciteteve dhe buxhetit, dhe më e rëndësishmja për të marrë ankesa edhe nga sektori privat, detyrë që është lënë nga komiteti i akreditimit. Do të sjellim gjatë ditëve në vijim një draft me amendamente për ligjin për avokatin e popullit, pasi përndryshe nuk do të marrim dot akreditimin si institucion me statusin A, niveli më i lartë i garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha Ballanca.
Ajo theksoi se ka nevojë për të krijuar një nënsesion për çështjet ligjore, analizës dhe raportimit. Pasi tani me raportimet që bëhen për Komisionin Europian dhe pjesën e negociatave, është e nevojshme të ketë një njësi që të ndjekë këto raportime.
“Kemi nevojë për 2 persona shtesë në staf. Kemi kërkuar të shtojmë kapacitetet e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës edhe me detyrat shtesë që kemi për mbrojtjen e emigrantëve dhe detyrave që do të kemi për mbrojtjen e shtuar që duhet të kemi për marrëveshjen Shqipëri Itali. Do të na duhej edhe një komisioner tjetër, nga 4, në 5. Në total nevojiten 3 personel shtesë. Në total kërkojmë 7.6 mln lekë për pagat 1.3 mln lekë për sigurimet shoqërore. Në lidhje me investimet, ka të bëjë me sigurinë kibernetike. Nga AKSK ka pasur një vlerësim orientues për 18 mln lekë, i ndarë në infrastrukturë, standarde dhe trajnime”, tha drejtuesja e AP.
Më tej preku edhe problematikat e zvarritjes së proceseve gjyqësore të qytetarëve, ku konstatohet si shkelje e të drejtave të njeriut.
“Ka numër të vogël gjyqtarësh për 100 mijë banorë dhe ne jemi shumë larg standardeve europiane. Ka mbingarkesë çështjesh, që erdhi menjëherë pas reformës në drejtësi. Gjyqtarët kanë mbingarkesë dosjesh, për shkak të reformës. Reforma në drejtësi ka krijuar problematikë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve”, tha Ballanca.
Lajmi kryesor:
Çështjet Ligjore/ Debate për buxhetin, deputetja e PD-së sulmon Gjykatën Kushtetuese: Duhet ta rrëzonit marrëveshjen antikombëtare Rama-Meloni! Bushka: Respektoni vendimet e Drejtësisë
A.Q/ReportTv.al