Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, sipas raportimit thuhet se gjatë kthimit në Serbi është ndaluar nga policia serbe në pikën kufitare Tabanoc. Kjo për shkak se ai kishte qëndruar ditën e enjte në kompleksin memorial në Prekaz, ku edhe kishte vendosur lule mbi varrin e Blerina Jasharit, 7-vjeçares që u vra nga forcat ushtarake serbe gjatë sulmit mbi familjen Jashari në mars të vitit 1998.
Agim Musliu, drejtor i Institutit "Octopus” shkroi në X (ish-Twitter) se avokati Stojkoviç po merret në pyetje nga agjentët e BIA-s.
“Çedomir Stojkoviç ndalohet në kufirin e Tabanocit nga policia serbe! Sekuestrohet pasaporta, përballë marrjes në pyetje nga agjentët e BIA-s”, shkroi Musliu.
Po ashtu, në një prononcim para gazetarëve, Stojkoviç të enjten njoftoi se të premten do të udhëtoi për në Beograd dhe se nuk frikësohet sepse sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.
“Nesër do të shkoj në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi për obligim të bëjmë se çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, shkroi Musliu.
Kjo vizitë e avokatit serb është paralajmëruar para disa ditësh dhe është kundërpërgjigje ndaj politikës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Javë më parë, klienti i tij, opozitari serb, Nikola Sanduloviç, ishte arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.