Byrek me mollë (Strudel)
Përbërësit:
Brumi:
- 300 gr miell
- 1 vezë
- 2 ls vaj
- Pak sodë
- Pak kripë
Për petët dhe mbushjen:
- 150 gr gjalpë
- 5-6 mollë
- 3 ls arra të thyera
- 2 ls rrush të thatë
- 1 lk kanellë
- 3 ls sheqer kaf
- 2 ls konjak
- 50 gr sheqer pluhur
Përgatitja:
Fillimisht qërojmë mollët dhe pastrojmë pjesën e brendshme të farave. Më pas i grijmë në kubikë të vegjël, shtojmë arrat e thyera, rrushin e thatë, vaniljen, kanellën, sheqerin, konjakun dhe i përziejmë të gjitha bashkë, duke i lënë të mbuluara që të marinohen e të marrin shije. Ndërkohë përgatisim brumin. Bashkojmë 1 vezë, pak kripë, 2 lugë vaj, sodë dhe miell. E përgatisim si brumë për byrek dhe e ndajmë në 10 kuleçë të vegjël dhe secilën e lyejmë me gjalpin që e kemi në temperaturë dhome. I vendosim mbi njëra-tjetrën dhe hapim një petë të madhe, duke u kujdesur që të marrë formë drejtkëndëshe. Në fund, petën e shtrijmë mbi tavolinë, mbi një pecetë të madhe dhe e spërkasim me pak vaj. Mollët e përgatitura, i hedhim me një lugë në fillim të petës dhe me ndihmën e pecetës, e rrotullojmë petën me mollët, deri në fund, në formë cilindri. Me kujdes e hedhim në një tavë të gjatë, ku kemi shtruar letër pjekjeje të lyer me vaj. Sipër e lyejmë me një të verdhë veze, të rrahur me një lugë qumësht. E pjekim në furrë të parangrohur, në temperaturë 180 gradë, për 35 minuta.