Politikë

Çaça: Shkaku i humbjes, brenda PD-së! Tafani: Për rrotacion duhet të thyesh murin e administratës! Kthupi: Diaspora pati probleme! Meçe: Opozitës i mungoi fryma

20 Maj, 22:12| Përditesimi: 21 Maj, 08:02

  • Share

 

Vota e diasporës shfaqi problematika që ishin parashikuar që kur nisi procesi, teksa PD po pretendon që të bllokojë njohjen e rezultatit duke ngritur ankesa dhe akuza.

Por rezultati i thellë i humbjes e rrëzon alibinë e demokratëve për manipulim apo vjedhje votash. Mungesa e frymës brenda opozitës ishte edhe një tjetër faktor i humbjes, teksa rrotacionet në Shqipëri kanë ndodhur vetëm dy herë kur është shembur muri i madh i administratës.

Deputeti Rezart Kthupi u shpreh:

“PD po kërkon të godasë procesin në dy drejtime. Si proces me problematika dhe me kontestimin e çdo vote, sidomos e diasporës. Nëse merret në konsideratë problematika e votës së diaspors, krijon edhe një situatë që mund të zgjasë. Vota e diasporës pati probleme dhe këtë e kemi thënë që më herët, pa nisur ky proces. Ishte proces jashtë kontrollit të shtetit shqiptar, sepse nuk kishte mekanizëm kontrolli se kush e mori zarfin etj”.

Kurse analisti Endri Tafani bëri një historik elektoral në dy precedentë kur ka ndodhur rrotacioni dhe çelësin politik e sheh te “muri i administratës”.

“Ka një mur të madh të administratës shtetërore dhe sektori publik është i pakalueshëm, i vështirë për opozitën. Ky mur ka qenë edhe kur ishte PD-ja në pushtet. Ky mur është thyer dy herë, në 2005 kur LSI mori një pjesë me vete dhe PS humbi. Berisha ngriti murin e vetë kur erdhi, PS nuk e theu dot në 2009 dhe vetëm pasi LSI kaloi te PS mori një pjesë të tij me vete dhe ky mur u thye përsëri në 2013. Dhe ajo që ndodhi më pas është përçarja brenda opozitës dhe ndaj ky mur mban dhe është i vështirë për t’u thyer. Kjo është baza në Shqipëri, po nuk thyeve murin e administratës, e ke të vështirë të bësh rotacion e të vish në pushtet”, tha ai.

Për ish-deputetin demokrat Arben Meçe, opozita në bllok nuk prodhoi frymë dhe Rama nga ana e tij e shfrytëzoi këtë defekt të tyre, duke e përdorur në favorin e PS, e cila ishte e njollosur nga rastet e administratës së lartë me dosje në SPAK.

“Ka një të vërtetë të madhe, se pushteti merret edhe për të vendosur njerëz, por kjo nuk do të thotë se e gjithë administrata është e politizuar apo përdoret në zgjedhje. Fushata ishte e lexueshme dhe nuk u prodhua frymë nga opozita. Rama e njihte situatën nga sondazhet, kurse Berisha nuk e pa situatën kështu. Ramës njollën ia dha edhe administrata me hetimet ndaj zyrtarëve. Ndaj Rama ndoqi strategjinë duke mos goditur SPAK-un apo luftën e brendshme, por goditi partitë e reja, që nuk e administruan frymën”, argumentoi ai.

Përparim Çaça ishte më i qartë në analizë, duke theksuar se nuk mund të gjesh justifikim te vjedhja e votës për një rezultat të tillë. Ai u shpreh se përgjegjësia duhet parë brenda lidershipit të PD, me gabimet që nga Kodi Zgjedhor që dakordësuan dhe në fund me listat e deputetëve.

“Problemi duhet gjetur se çfarë ndodhi brenda kampit tënd, çfarë mbolle dhe çfarë korre. Nuk mund të gjesh justifikime te vjedhja e votës apo manipulimi. Duhet nisur që nga Kodi Zgjedhor. U morën me qeveri teknike dhe situata të tjera politike dhe jo te Kodi. Më pas me organizimin dhe deri te listat e deputetëve. Përgjegjësia duhet të shikohet brenda lidershipit, pra Berishës”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Meçe në ‘Repolitix’: Saliu u bë qesharak që nga slogani ‘Shqipëria Madhështore’! Tafani: PD po gjen alibi për humbjen! Kthupi: Zgjedhjet u vendosën me Kodin Zgjedhor


A.Q/Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?