I kërkova Çaçt të më flasë pak për veten dhe punën e saj, si pjesë e vetes dhe ky rrëfim është i tëri “produkt” i asaj që me duart e veta zbukuroi nënat tona dhe (kur kishte kohë) na zbukuronte edhe ne “Sa nuse kam bërë, mo biri! Një ditë te Fusha e Sportit”, aty motra ime ka shtëpinë, ndalova përpara një porte se isha me bicikletë. Kishte shumë trafik. Atë moment pikërisht hapet porta, del një grua me robdëshambër vishnje, me përparëse. Dukej sikur sapo kishte mbaruar së bëri byrek sepse përparsen e kishte me miell. Më shikon dhe më drejtohet: Më fal, Çaçi je? Po, i them. A më mban mend mua, më pyet. Jo, i thashë. Ku jemi takuar?
E kisha bërë nuse dikur, më tha. Ta shihje ashtu pa krehur, me një dhëmb të parë i mungonte, pa tualet të dhimbsej. Më tha tekstualisht: “Qyqa mi gruje na trego sekretin mi se unë jam 15 vjet më e vogël se ty e ti s’po lu venit. Un shif si jam bo.”
(Qesh). I thashë më vjen keq, por unë edhe e sëmurë po të jem, pak buzët do t’i lyej e të dal te porta kështu si ke dalë ti, nuk ia fal vetes…Prandaj kushtoji vetes pak kohë se një jetë ke, dhe vitet ikin shumë shpejt.
Po, po, më tha. Do të të kujtoj dhe rrofsh për fjalët që më the.”
***
Sapo kisha mbaruar “Ismail Qemalin”, një mik i familjes i gjeti një vend pune si parukiere nuses së vëllait. Mirëpo asaj nuk i jepej fare në lidhje me frizurën në përgjithësi. Unë për vete e kisha pasion dhe në klasë iu bëja flokët gërsheta shoqeve. I krihja me modele të ndryshme. Kështu që në vend të saj e pranova unë ofertën dhe bëra një kurs 6 mujor për parukiere. Ndërkohë, im atë që kishte mbaruar shkollën e fashmshme Hary Fultz më thoshte: “Shko në shkollë profesionale Çaçi se nuk i dihet jetës”. Për të qenë e kompletuar dhe me arsimim pata një shpërthim të dijeve të mia dhe vazhdova Pedagogjiken me korespondencë dhe njëkohësisht edhe liceun Artistik për pikturë, me mendimin se mbase bëhesha mësuese vizatimi në ndonjë shkollë 8 vjecare, në rast se nuk ia dilja profesionit që e kisha me dëshirë të madhe. ”Kur je në punë me rrogë të mirë të del edhe fati”, kështu ishte në atë kohë. U fejova në Shkodër dhe meqënëse shkoja shpesh atje u regjistrova në Institutin Pedagogjik, “Luigj Gurakuqi”, në degën gjuhë - letërsi. Në Liceun Artistik kisha mësuese Marjana Eskin, të cilën më vonë e pata edhe kliente. Më pas klientet u shtuan me shoqëri. Kisha kliente si Vera Grabocka që më vinte në shtëpi dhe unë shkoja në shtëpi të saj për t’i lyer flokët jo vetëm asaj, por edhe Mamicës, sic e thërrisnim në të ëmën e Timos, si Zerina Kuke, e shumë e shumë shoqe.
Atëherë nuk kishim gjëra për tualetet. Mjetet e vetme ishin furca, kreherat e gërshërët, por miket e mia nuk më lanë kurrë të ndjehesha mangut. Një nga ato mikesha ishte edhe Katja, një grua e bukur, me fytyrë prej engjëlli, me një shpirt plot dashuri, e cila sa herë kthehej në Shqipëri nga Egjipti ku i shoqi ishte me punë më sillte ndonjë krëhër, furcë, krem etj.
Fati im ishte që unë me punën time arrita të jem një ndër parukieret më të dëgjuara edhe në Bllok, si te rejat, ashtu edhe te më të mëdhatë. Unë isha parukiere personale e zonjës Vito Kapo, një zonjë që më ka lënë shumë mbresa. Grua e thjeshtë, e dashur, komunikuese dhe nuk të krijonte emocione kur rrije më të, më pëlqente t’i shërbeja se ia vlente. U bëra mikeshë e familjes së madhe “Kapo”. Kam bërë shumë nuse, por nuse si Sonila e (B. Kapos) që doli një princeshë yll e bukur ishin të rralla.
Për të bërë nuse ishte me planifikim. Në muajin janar të caktonin datën për nuset se atëherë nuk kishte shumë dyqane parukerie. 10 gjithsej në Tiranë. Kur bëja nuset, që shkonin nga 5-6 në ditë, ishte një lodhje shumë e madhe, unë mundohesha t’i kisha në një anë të rrugës, si p.sh. në Rrugën e Durrësit, deri në Laprakë, ose Tiranë- Kinostudio se nuk ia dilja dot. Atëherë nuk kishte shumë trafik dhe unë “caja” me bicikletë.
Në dyqan kisha një arkëtare që më “ruante” 5 minutshin e vonesës dhe po të më dëgjonte të thoja ndonjë fjalë të huaj me ndonjë kliente të ambasadave me të cilat komunikoja në rusisht apo italisht, si p.sh. është e nxehtë apo e ftohtë kaska, sipas dëshirës, ajo e ngrinte në mbledhje të Partisë dhe thoshte që Çaçi flet gjuhë të huaja me revisionistët. O Zot, nuk thonë kot ruaju nga injorantët! Në vend që të krenohej që ne si të reja që ishim dinim gjuhën ruse që e kishim bërë në gjimnaz…Po c’të them, ishin edhe këto inate sepse unë nuk isha anëtare partie dhe sipas saj nuk e meritoja të hyja në Bllok.
Në vitin 1975, u martova. Ishte 29 dhjetor. Sa u vesha me fustan të bardhë, me sandalet e Shpresa Ngjelës që e kisha bërë nuse një muaj më parë dhe me kurorën e Mira Pashkos, e cila edhe ajo ishte martuar përpara meje. Më vjen një shofer dhe një oficer i Bllokut dhe më kërkuan të shkoja t’i bëja provë për flokët Pranvera Hoxhës, e cila martohej Natën e Vitit të Ri, dmth dy ditë pas meje. Vjen mamaja ime në dhomë dhe më thotë: Çaçi dil pak se të kërkojnë. Dola i pashë se i njihja dhe më thanë hajde se po të presim. Unë për vete isha nuse me të bardha. Iu thashë: unë pres vizita tani. Ishte ora 4 e pasdites, por në dhjetor erësohet shpejt dhe të nesërmen unë do të shkoja në Shkodër. Më thanë në regull, do të njoftojmë shoqen Nexhmie. Pas një jave u ktheva nga Shkodra sepse im shoq pati një problem shëndetësor. Mora në telefon familjen Kapo, iu them se jam kthyer në Tiranë. Vajta atje dhe kur futem brenda në salon, te një derë që hapej si fizarmonikë, sa do të futesha brenda pashë shoqen Nexhmie që po pinte kafe me shoqen Vito dhe i përshëndeta. I them shoqes Vito, “po ngjitem lart”. Pas pak, Nexhmija largohet dhe i them shoqes Vito ajo nuk më përshëndeti. Po pse, më pyeti ajo? Sepse unë nuk e bëra nuse Pranverën.” Shpëtova me aq.
Nuk harroj edhe një gjë tjetër. Kur doli modeli kapelon unë iu preva për herë të parë flokët dy vajzave të Bllokut, nxënëse te “Ismail Qemali” dhe pas tyre erdhën shumë shoqe të tyre. Pas dy ditësh më thërrasin në “Komitetin e Partisë“ për të më tërhequr vërejtje me motivacionin “model i ndaluar”. Cështja u mbyll me një vërejtje. Unë duhej të mos prisja më flokë me “modele”. Qëllova me fat, se ajo që më kishte thirrur ishte e ëma e njërës prej vajzave të flokëve “me model”.
Bëra shkollë dhe e ndjeja veten të plotësuar. Në profesion tashmë kisha kategorinë e shtatë dhe sapo më miratohej kërkesa për të marrë titullin “mjeshtre”, ndryshimet që pasuan e lanë në mes atë ëndërr…
Unë bashkë me një shoqen time shumë të mirë e të dashur, Arjanën, parukiere e përkushtuar edhe ajo ia dolëm të bëheshim shumë të zonjat. Ditët në punë ishin shumë të bukura. Klientela shumë e mirë dhe për ditë shtoheshin vajza e gra të reja, e më pak të reja.
Kur vija në punë, në turnin e dytë, sa merrja kthesën te “Klinika e Udhëheqjes”, syri më zinte gratë e ulura te shkallët e një vile, kati i parë. Ishte shtëpia e dr. Emil Qirkos. Një familje shumë e mirë. E kuptoja që më prisnin mua sepse ngriheshin në këmbë për tu futur në dyqan. Përshëndeteshim, hyja në dyqan e lodhur, se më parë isha marrë me nuset jashtë dyqanit, lija bicikletën, vishja përparësen e bardhë, nxirrja mjetet e punës, një kavanoz me alkoohol ku disinfektoja krëhërin pas cdo prerjeje. Dikush këtë veprim timin e quante të tepërt.
Më kujtohet një kolege që kisha në dyqan nuk u afrohej fare fshatareve. Një ditë hyri në Floktore një e tillë, unë iu afrova dhe e pyeta se cfarë do të bënte. Ia bëra flokët permanent, i hoqa vetullat dhe i bëra pak tualet. Më tha se do të shkonte në dasëm. Kur doli te dera i shkunda pak flokët te supet se mos kishte mbetur ndonjë fije floku. U përqafuam dhe ajo me futi në xhep 10 lek bakshish, e shkreta. Nuk doja t’ia merrja, sepse më erdhi “gjynah” për të, por ajo nuk largohej. Kur fshatarja më në fund u largua, Lumja, kolegia tjetër më thotë, me një farë mospëlqimi: “Pse i bëre gjithë ato shërbime asaj ti mi, sikur kush ishte ajo!” Më erdhi keq për fjalët që nxorri nga goja, por ndosha aq dinte dhe ashtu mbeti. Nuk kaluam shumë ditë, kur e njejta fshatare erdhi sërish në dyqan me një shportë plot me rrush, fiq dhe një zog pule që më vinte keq ta therja, ca vezë, pak djathë të njomë e gjizë pa kripë. Më mallëngjeu. Fshatarja vazhdoi të vinte në Floktore edhe dhjetë vjet të tjera…
Atë kohë, nuse bënin edhe balerinat, por “u thyenin brinjët” klientëve dhe i lyenin nuset e i ngallosnin si për në skenë. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë tualeti i rëndë te nuset. Kisha një zakon kur bëja nuse. Derën e dhomës ku përgatisja nusen e mbaja të mbyllur, derisa përfundoja punën dhe më pas e hapja të vinin prindërit ta përqafonin, e pastaj…qanin. Qaj ata, qaj edhe unë. Po, vërtetë kështu ka ndodhur (qesh). Ishte një cast shumë prekës.
Kur u martova vetë nuk kam qarë. Unë po shkoja në Shkodër. Vajta me tren deri në Lac dhe pastaj me autobus deri në Shkodër. Por kam qarë kur linda fëmijën e parë. Me vajzën shkova të takoja prindërit dhe gjyshen dhe aty nuk më mbaheshin lotët. Shyqyr që arrita të shoh një bebe, më kujtohet që më tha ajo. Në vitin 1991 dola “privat”, si të gjithë. Mora një ambient te “Zogu i Zi”. U lodha shumë sepse isha vetëm. Më vinte atje e gjithë klientela, plus edhe banorët e tjerë të lagjes. Punova atje dhjetë vjet. Kisha shumë kliente edhe nga ambasadat, të cilat vinin në dyqan ose u shkoja në rezidencat e tyre, në ambasadën gjermane, hungareze, hollandeze.
Një ditë, mikja ime e paharuar Kati, më erdhi në dyqan dhe më tha: “Dua t’i bësh flokët gruas së ambasadorit egjiptian”. I shërbeva asaj zonje, derisa u bëra gjyshe dhe mu desh të largohem nga Shqipëria për të qëndruar me nipin tim, Tomin. Kam shumë mall dhe dëshirë për profesionin tim, por obligimet e tjera nuk ma bëjnë të mundur një rikthim. Kam shumë kujtime të bukura. Kujtoj shëtitjet mbrëmjeve përpara hotel “Dajtit”. Përshëndeteshim me mike e shoqe dhe bashkëshortët e tyre. Kishte raste që në xhiron e darkës diskutonim edhe kur dikush do të bëhej nuse. Kishte raste kur dilja me tim shoq dhe njerëz të ndryshëm më afroheshin dhe më thoshin me zë të ulët: Kur e ke të lirë nesër që të vijë nusja te dyqani? Im shoq habitej dhe më pyeste: C’janë këta njerëz që pyesin për flokët e grave, si xha Sulua, te “Kapedani”. Edhe tani më qeshet. Shkodran tjetri.
Kam shumë, shumë për të folur për vitet e punës, për shoqet, për klientelën e mrekullueshme, për familjet e dëgjuara që i kisha miq. Im shoq është verior dhe si i tillë i humorit me shoqërinë e tij, por serioz me shoqërinë e së shoqes. Një ditë do të shkoja të bëja një nuse që banonte larg, te “Rrapi i Treshit”. Dhëndri darkën e kishte lënë për ditën e hënë, sepse atë të dielë lokalet kishin qëlluar të zëna. Në muajin shtator kishte shumë dasma. I them tim shoqi të vinte edhe ai me mua, meqënëse dhëndrin që do të më priste nuk e njihja. Ashtu bëmë. U nisëm të dy me bicikleta dhe po prisnim sipas orës që kishim lënë. Pas pak minutash, drejt nesh vjen një djalë veshur me kostum e kollare dhe më thotë: Mirëdita, Çaçijeni?. Iu drejtua edhe tim shoqi, ejani edhe ju. Por ai i tha se do priste se kishte edhe bicikletën. U vonova gati 1 orë e gjysëm. më paguan 300 lek të reja për të treja ditët. Sa iu afrova tim shoqi, që s’më pa në sy fare, ai më tha: Po ti moj, gjithë fisin rregullove? Po, i thashë, pa ia zgjatur. U hipëm bicikletave pa folur një copë rruge, pastaj ai më pyet: A të dhanë gjë? Po, i thashë, kam llokume me arra dhe cokollatë në cantë. Kur mbërritëm në shtëpi dhe nga canta nxorra paratë, fytyra i ndryshoi dhe më tha: Nuk vij më mbas teje.” Ishte bërë xheloz, se nuk e besonte dot që kishte dasëm edhe ditën e hënë.
Ditët e hëna dhe të martave punonim nga ora 10 deri në orën 6. Në drekë, dyqanin e mbyllnim. Unë, Arjana, dhe e ndjera Medi ngjiteshim nga Shën Prokopi dhe drekonim atje. Kënaqeshim shumë. Ishim turn shumë i mirë. E ndihmonim njëra-tjetrën për cdo gjë dhe merrnim këshillë nga njëra-tjetra, për kombinime ngjyrash, ndonëse kishim shumë vite përvojë. Tani që kemi dalë në pension, shoqërinë e ruajmë, sidomos me Arjanën.
Mbaj mend që gjatë aktivitetit tim profesional ndodhte që në të njejtin pallat, madje në të njejtën shkallë bëheshin dy nuse. Një herë qëlloi që unë po bëja një nuse në katin e dytë, ndërsa një balerinë po punonte me një nuse në katin e katërt. Nusja e katit të katërt doli me një stil “kinez”, sidomos te sytë. Vajzat e shkallës erdhën të shihnin shoqen e tyre që po bëhej nuse, në katin e dytë dhe dicka nisën të thoshin me zë të ulët me njëra-tjetrën. Iu drejtohem dhe u them: O goca më thoni, cfarë nuk ju pëlqen, se e regulloj prapë. Jo, më thonë ato, ti këtë e ke qarë, por V. në katin e katërt është bërë si për cirkun kinez.” Njëra nga vajzat shkoi me vrap dy kate me lart dhe thirri të ëmën e nuses, e cila me lot në sy më tha: Të lutem, eja fshija pak sytë vajzës sime. Më erdhi rëndë se nuk doja të dilja mbi punën e dikujt tjetër, ndaj thashë që t’i thoshte asaj të zbriste, ndonëse nuk kisha kohë sepse një tjetër nuse më priste. Dukej që nusja e re, së cilës i kishin thënë “je bërë si kineze” kishte qarë shumë se i ishin fryrë sytë. I fshiva pak sytë, pak mollëzat që ia kishte skuqur, vetullat që ia kishte nxirrë dhe e kishte bërë sic thoshim atëherë me shaka “si nuse polici”. Vajza, shoqet dhe e ëma u qetësuan dhe unë u largova, me një qese me dy llokume, dy cokollata, dy amareta dhe një përqafim. Dita e dasmës është ditë e shënuar për vajzat, ndaj ato duhet të jenë të qeta, të gëzuara.
Kam bërë nuse edhe në fshatrat e Tiranës, nëpër rrethe miqësish. Kulmi ishte një ditë kur shkoj te një mik i familjes që martonte mbesën. I gjej të gjithë në tavolinë që drekonin, këndonin, madje disa edhe kërcenin, me aheng, jo me magnetofon, sic ishte atëherë koha. Lodra bam e bum, dhe as nuk donin tia dinin që unë e kisha kohën të llogaritur dhe se isha në punë. Ia bëj me shenjë nuses të afrohet, por hidhet daja dhe më thotë: Po prit moj shoqe se edhe sot e kemi. Unë buzëqesha por cantën me mjetet e punës nuk e hoqa nga supi. Nusja vazhdonte kërcente. Epo, normal, se xhaxhai I saj ishte shok me vëllezërit e mi. Ndërkaq kisha nisur të nxehesha se më duhej të kthehesha në punë. Kur isha nisur rruga drejt Saukut ishte malore, por kur të zbrisja ishte rehat në dishezë deri te Liceu Artistik. Hap derën e dhomës dhe i them njërës prej grave: Thuaji Nezit të vijë, ose ika. Erdhi me vrap dhe më tha prit sa të bëj një dush. I thashë vetes: Prit o Çaç , se kështu është kur shkon ndër miq. Kisha dalë nga shtëpia në orën 9 të mëngjesit dhe ora shënonte 11 e unë ende nuk kisha nisur nga puna. Njerëzit më dukeshin si te filmi “Malet me blerim mbuluar”, ku Piro Mani thotë: Po nuk më sole këtu dashin që prin kopenë do të të quaj doc i docërve”. Më në fund e nisa nusen në orën 11.30 dhe në 13.45 e kisha mbaruar. E mbarova atë, por nisën burrat e grave të tjera të më thoshin: Aman, ma regullo pak edhe këtë timen. Kështu që regullova edhe ato. Në fshat është bukur, njerëzit janë mikpritës, por nuk e kanë idenë se si regullohen nuset. Njëra nga gratë më tha: Po një nishan në faqe nuk do t’ia bësh? E lëmë për nesër, i thashë, kur të jetë tek burri. Pa mbledhur mirë sendet e punës, hapet dera dhe në të shfaqet e ëma e nuses me një tepsi plot e përplot me ushqime. E kam parasysh si tani. Pilaf, që më cau hundët gjalpi, mish i pjekur përsipër, byrek me petë të pjekura, një pjatë me 3-4 copa bakllava. Obobo, thashë me vete, por më zë të lartë I thashë gruas: Më vjen keq, por nuk kam kohë, më duhet të jem në vendin e punës”. Kur e kujtoj më vjen të qesh më zë të lartë. Në një tas rrasën brënda pilafin dhe mishin, në një qese futën copat e bakllavasë. I mora të gjitha dhe i futa në cantë. Kush të fal për bakllavanë! U përshëndeta me miqtë dhe ata ma vunë dorën te koka. Unë e kisha tmerr kur dikush mi prekte flokët. Këtë e di edhe Evis Cerga, se kacurelat e mia ishin si Marcela Bella. U shkëputa. I hipa bicikletës. lëviza dy tre herë pedalet dhe me nxitim shkova në shtëpia të lija qesen. Pastaj e lodhur, pa ngrënë nisi turni i dytë. I kujtoj edhe sot klientet e të shtunave e të dielave. Uzinë, uzinë ka qenë, jo lokal parukerie.
Atëherë quhej “Permanent”. Kështu quhej lokali. Secila prej nesh kishte klientelën e saj. Për 7-8 mars kishte një frekuentim të paparë, pastaj vinte 1 maji, festa e punëtorëve. gjatë muajit prill kishte shumë punë. Permanente, ngjyrosje, por data 30, gjithë dita ishte plot. Rinin gratë me orë të tëra për tu dhënë një formë flokëve, për një krehje që mundoheshin ta mbanin gjatë gjithë javës, falë birrës me të cilën lyenim flokët, përpara se tu vendosnim grave bigudinat dhe në fund në vend të llakut meqë në Shqipëri nuk kishte llak. Llak kishin vetëm klientet që dilnin jashtë, ato ose bashkëshortët e tyre. Në ditën e 1 majit i shihje të tëra gratë e krehura, veshur bukur e me lule në dorë, tek parakalonin përpara tribunës qëndrore. Më pas vinin festat e nëntorit. Si gjithmonë femrat shqiptare janë munduar brenda mundësive të ishin të paraqitshme. Kulmi i punës ishte java e fundit e dhjetorit dhe sidomos nata e 31 dhjetorit. Rinim deri në orën 23.00 për të krehur e regulluar ato që do të shkonin për darka në lokale. Më kujtohet një prej këtyre netëve ku po regullohej bashkëshortja e një ministri. Po e regullonte një kolegia jonë, Albina. U vonua se 4 kaska ishin të zëna, ndaj mbaroi diku afër orës 23.45. Sapo mbaroi dhe ne po bëheshim gati të shkonim në shtëpi, hapet dera e dyqanit dhe hyn një burrë, veshur ushtarak, i shëndoshë dhe na thotë: Akoma ju? Pse u vonuat kaq shumë? Unë do të shkoj të hap festën e natës së fundvitit…Ne na ngriu gjaku se nuk kishim parë anëtar Byroje në derë të lokalit. Albina u zverdh. E shoqja e ministrit, që ia njihte temperamentin të shoqit, qeshi, na falenderoi dhe mbylli nga pas derën e lokalit. Në fund të fundit, rradha ishte rradhë dhe ajo kishte pritur si të tjerat që të vinte rradha e saj.
Nuk më kujtohet me saktësi viti, por ishte diku rreth vitit 1980. Një mik i familjes më ndihmoi të nisja një kurs për parukier, d.m.th për të qepur flokë të cilët më pas përdoreshin për të bërë perukë, në Pallatin e Kulturës në TOB. Atje ishin tre parukierë grimiorë, maestro Rexhepi, Todi dhe Pertefi. Të tre
profesionistë grimiorë të shkëlqyer. Ishte edhe një djalë grimior shumë I mirë, emri I të cilit nuk më kujtohet (të më falë se kanë kaluar shumë vjet). Usta Todin e kisha afër punës. Ai banonte pranë Librit Universitar, tek “rruga Miqësia” (për këtë rrugë ka shkruar kujtime shumë të bukura, autorja e librit që mban të njejtin titull, Evis Cerga). Ai dhe Pertefi ishin atëherë në prag të pensionit, por tepër të gatshëm dhe të dashur të më mësonin të qepja peruke. Fillimisht mësova të qepja basetat dhe mustaqet. Një punë shumë e bukur në një ambient shumë komod, se lokalet ku ne punonim packa ishin. Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur sepse dhe koncertet e ndryshme që organizoheshin unë isha e pranishme dhe kishte raste kur bëja regullime të castit të ndonjë artisteje, aktori apo aktoreje. Kishte dhe ndonjë valltar që më thoshte: Më shih pak se mos më ka ikur grimi nga djersa.” Eh, isha e re atëherë dhe tani kam nostalgji. Kërkoja të dija shumë në ato vite dhe nuk mërzitesha asnjëherë. E kam dashuruar aq shumë këtë profesion sa edhe në ëndërr shoh sikur jam në të njejtin dyqan te Tirana e Re, në mes të dyqanit të Fruta –Zarzavateve me Linën e Xhepin, dy shitës shumë të mirë tiranas, ndërsa në anën tjetër punonin (të ndjerët) berberë Ludmiri, Ahmeti, Refiku, dhe Miri. Ajo lagjie ishte nga më të mirat e Tiranës, jo sepse ishte pranë “Bllokut”, por sepse na bëri ne të ndjeheshim si “të shtëpisë“, sikur ishim në një familje të madhe. Si mund të harroj pedgogen Tefta Qirko, e cila e kishte shtëpinë përballë dyqanit tonë dhe nuk u mërzit kurrë kur familjarët na merrnin në telefonin në numrin e shtëpisë së saj. Sa herë shkonim në shtëpinë e saj të flisnim në telefon nuk na linte kurrë të largoheshim pa na gostitur me glikon e bërë nga duart e saj. Si të mos kujtoj komshijet e tjera që sa herë mbeteshim pa ngrënë nga puna e madhe, na skuqnin ndonjë vezë e dy feta bukë dhe na e sillnin, madje edhe na e ushqenin me kafshata. Ishte dashuri dhe respekt i paparë.
Tani jetojmë nëpër pallate me njerëz të ardhur nga të gjithë qytetet e Shqipërisë, I sheh nëpër shkallë dicka murmurisin nëpër dhëmbë, por asgjë nuk kupton, dmth nuk kanë dëshirë të flasin të komunikojnë. Kaloj ndonjëherë nga rruga Miqësia dhe tani që jam larguar nga ajo lagjie prej 30 vjetësh kur ndeshem përballë me ndonjë grua përshëndetem dhe ajo kujtohet, kthehet mbrapsht dhe më thotë: Po dale pak, mi dale, ti Çaçi je? Dhe atëherë përqafohemi e fillojnë kujtimet e viteve të shkuara.
Gërshërën, kreherin dhe kremin i mbaja gjithmonë me vete. Madje as piskatorja nuk mungonte kurrë. Nuk mbaj mend të shkoja te dentistja e të mos gjendej ndonjë grua që ti prisja flokët. Një ditë ia preva flokët një gruaje zonjë me emrin Neta që punonte radiologe te Stomatoligjia në Bulevard. I mbante gjithmonë të shkurtra dhe me pak thinja që e tregonin edhe më të fisme. Pastaj vinte ndonjë grua për të hequr vetullat. Profesioni i parukieres në atë kohë ishte shumë I dëshirueshëm sepse mbizotëronte fantazia, ndaj edhe duhej shkolla artistike. Ne nuk kishim revista mode. Në televizion nuk jepej moda e flokëve. Cdo gjë krijohej aty për aty. “guximi” më i madh ishte kur bëhej ndryshim rrënjësor në prerje. Dhe ja kështu, prerje pas prerjesh ia dola të kisha një “emër“ të mirë dhe të frekuentohesha nga dhjetra e dhjetra gra e vajza nga e gjithë Tirana. Kliente të mia ishin shumë studente që vinin nga gjithë Shqipëria.
Mes aktoreve të rretheve kujtoj Zyliha Milotin dhe Drane Xhain. Sa vinin në Tiranë për shfaqje, kokën e fusnin në dyqanin tonë dhe pyesnin: A asht Çaçi n’ kët turn?...
Historia e Çaçit vazhdon. Ndonëse ajo mendon se e ka mbyllur