Politikë

PD kundër kandidatëve të saj në KAS/ Çaka Report Tv: Kërkesat për rinumërim pa mbështetjen e partisë të pavlera! Kalaja zgjidhje të pahijshme që ankimoi me PLL

3 Qershor, 14:56| Përditesimi: 3 Qershor, 17:16

  • Share

Anëtari i Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Dritan Çaka, i ftuar në emisionin Sot Live në Shqipëri në Report TV përmes një lidhjeje Skype, ka komentuar çështjen lidhur me ankimemet e kandidatëve të PD-së në listën e hapur, që u rrëzuan nga partia e tyre në KAS, për rinumërim të votës preferenciale në qarqet e tyre përkatëse. 

Çaka ka thënë se Kodi Zgjedhor ka qenë i qartë në përcaktimin e tij lidhur me ankimimet të cilat duhet të shoqërohen me mbështetjen e subjekteve zgjedhore.

‘Kodi zgjedhor në vlerësimin tim e ka të përcaktuar qartë, që të drejtën për ankim kundër vendimmarrjes së Komisionerit Celibashi në KAS, e kanë vetëm subjektet zgjedhore, pra partitë politike të regjistruara si të tilla apo kandidatët e pavarur. Ndërkohë kandidatët e subjekteve shumëemërore nuk e kanë këtë të drejtë për t’u ankuar në KAS apo më pas dhe në Kolegjin Zgjedhor për vendimmarrjet e komisionerëve të administrimit të zgjedhjeve.’ - tha Çaka. 

Ai shton se edhe Kolegji Zgjedhor pritet të mbajë të njëjtin qëndrim lidhur me këtë ankimim të rrëzuar nga KAS nga të dy partitë politike.

‘Unë mendoj që dhe nga Kolegji Zgjedhor, interpretimi i Kodit Zgjedhor do të jetë i njëjtë duke mos e pranuar këtë ankesë për shkak të mungesës së legjitimimit. Në momentin që kandidati e bën individualisht, ai ankim nuk duhet të pranohet përsa kohë nuk ka edhe firmën dhe vulën e përfaqësimit të subjektit politik që e ka propozuar.’ - vijoi Çaka.

Sipas Çakës, ankimimet janë të pavlera nëse nuk kanë mbështetjen e subjekteve zgjedhore.

‘Nëse këto ankimime nuk kanë si mbështetje subjektet zgjedhore, pa dyshim janë të pavlera.’ -tha Çaka.

Nga ana tjetër, Çaka komentoi dhe rastin e Aulon Kalasë, i cili ditën e djeshme e ka bërë ankimimin nëpërmjet Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat për qarkun e Durrësit, me pretendimin për parregullësi. Mirëpo Kalaja nuk është ‘dorëzuar’ dhe ka vijuar po të njëjtin pretendim në ankimim, por këtë radhë nën ‘ombrellën’ e Partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila ka marrë përsipër ta bëjë ankimimin si subjekt politik lidhur me kontestimin që ka kandidati lidhur me rezultatin e votës preferenciale në Durrës.
Çaka lidhur me këtë rast konkret ka dhënë komentin e tij.

“Në rastin konkret ajo është një punë e koalicionit. Pra është koalicioni që, kur ka bërë marrëveshjen, ka përcaktuar normalisht se kush do të jetë partia drejtuese ose ai. Në këtë rast, zgjidhja e gjetur në vlerësimin tim nuk është një zgjidhje e hijshme përsa kohë nuk është koalicioni që e bën në mënyrë zyrtare.” -tha Çaka.

Duhet sjellë në vëmendje se kandidatët e PD-së si Ilir Alimehmeti, Lisandër Hoxha, Mimoza Hajdarmataj, Aulon Kalaja, Ilirjana Kuçana dhe Shkëlqim Shehu kanë qenë ankimuesit para 1 jave në KAS për kërkesën e depozituar për rinumërim të votës preferenciale, të cilët janë rrëzuar nëpërmjet një votimi 4 me 1 nga përfaqësuesit e partive politike.

Ditën e djeshme tre kandidatë kanë vijuar ankimimet, por këtë radhë në Kolegj Zgjedhor pas rrëzimit që u bëri partia e tyre fundjavën e kaluar në KAS-i bashkë me PS. Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja dhe Shkëlqim Shehu janë ata që kanë bërë ankimimin në Kolegj Zgjedhor.

H.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?