Politikë

Cakaj takohet me Zaev dhe Dimitrov: Mbledhje ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut këtë vit

27 Shkurt 2019, 14:22| Përditesimi: 27 Shkurt 2019, 16:56

  • Share

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në vizitën e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut zhvilloi sot një takim me Kryeministrin Zoran Zaev. Biseda u përqendrua në Marrëveshjen e Prespës dhe Miratimin e Ligjit të Gjuhëve si arritje historike të cilat e orientojnë vendin drejt qëllimeve strategjike për evropianizim tërësor, në paqe, siguri e prosperitet.  

Një vëmendje e veçantë iu dedikua thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, në kuadër të mekanizmit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive dhe angazhimeve të ndërmarra në lidhje me bashkëpunimin rajonal. 

Ministri Cakaj në fjalën e tij shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e Shqipërisë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, mbi të gjitha mbështetjen në finalizimin e anëtarësimit të plotë në NATO dhe më tej në Bashkimin Evropian.

Cakaj-Dimitrov: Vizita në Shkup shprehje e gadishmërisë sonë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh

Ministri Cakaj, zhvilloi edhe një konferencë për shtyp me homologun e tij Nikola Dimitrov, në Maqedoninë e Veriut, ku shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e Shqipërisë drejtuesve më të lartë të shtetit për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe mbështetjen reciproke mes vendeve në rrugëtimin euro-atlantik. 

“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm vend mik, por edhe partner për Shqipërinë. Pjesë e suksesit të Maqedonisë së Veriut, janë edhe shqiptarët që jetojnë këtu, duke u nisur që nga Marrëveshja e Ohrit deri tek Marrëveshja e Prespës. Sot me homologun Dimitrov diskutuam për një varg çështjesh, për domosdoshmërinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, si dhe bashkëpunimin për të qenë një zë i fuqishëm i njëri-tjetrit në çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Cakaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Dimitrov.

I njëjti mesazh u konfirmua edhe nga Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Nikola Dimitrov i cili nënvizoi se: “Shqipëria dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe do të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike”, u shpreh Dimitrov.

I pyetur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ministri në Detyrë Cakaj u shpreh se “Në këtë kontekst, vizita ime ne Shkup duhet vështruar pikësëpari si një shprehje e gatishmërisë sonë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, por edhe si mbështetje pa ekuivok ndaj fqinjit tonë lindor për avancimin e integrimit euro-atlantik, përmes shtet-konsolidimit dhe ndërtimit të një shoqërie kohezive që respekton bashkëjetesën ndëretnike, barazinë në të drejta dhe detyrime për popullsinë shqiptare, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit”.​

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?