Genoveva Ruiz Calavera

Si u sulmua nga PD dhe LSI, Calavera jep mesazhet e fundit në detyrë: Sulmet e shpifjet ndaj stafit të ONM të paprecedentë, por nuk na ndalin për Reformat

1 Shkurt 2021, 07:48| Përditesimi: 1 Shkurt 2021, 12:48

  • Share

Shefja e Operacionit Ndërkombëtare të Monitorimit në Shqipëri, mbikëqyrja e ndërkombëtarëve në procesin e vettingut, Genoveva Ruiz Calavera e cila është emëruar nga Komisioni Europian si Drejtore e Përgjithshme e Departamentit të Interpretimit ose SCIC, me anë të një letre të fundit ka bërë bilancin e kohës që ka qenë në krye të ONM në Shqipëri si dhe ka përcjellë disa mesazhe në lidhje me sulmet që janë bërë kundrejt saj dhe stafit të saj në lidhje me vetingun.

Ndërsa e ka quajtur këtë një vit të vështirë për Shqipërinë, Calavera thotë se mbështetja e BE-së përballë pandemisë COVID-19 ka qenë po aq e vendosur që nga fillimi i pandemisë si dhe thekson se do të vazhdojë. Teksa ka deklaruar se muajt e fundit janë bërë disa sulme dhe shpifje të paprecedenta kundrejt stafit të ONM, Calavera shton se ato kanë qenë me qëllim që të shmangin Ref. në Drejtësi dhe të dëmtojnë zbatimin e saj.

"Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale. Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm. Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar", tha ajo.

Kujtojmë se pak kohë më parë Sali Berisha e cilësoi si "ndrikull" që bashkëpunonte me kryeministrin Edi Rama, ndonëse më vonë ish-kryeministri kërkoi falje për deklaratën duke thënë se u bazua në 'Fake neës'. Pas akuzave të Berishës, një tjetër akuzë për Calaverën ka ardhur nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila u 'kap' me pagën e saj duke thënë se merr 26 mijë euro nga paratë e shqiptarëve dhe vjen 3 herë në muaj!

Calavera në mesazhet e sotme tha se Shqipëria në vitin 2020 ka treguar gjithashtu një vendosmëri të jashtëzakonshme për të vazhduar reformat. Vendimin e Këshillit të BE-së në 25 marsit 2020 mbi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë e ka cilësuar të merituar. Në kontekstin e reformës në gjyqësor, procesi i vetingut, Calavera shton se vazhdoi të jepte rezultate me më shumë se 330 magjistratë të verifikuar në shkallën e parë, nga të cilët më shumë se 60% u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.

Shefja e ONM shprehet e kënaqur që Gjykata Kushtetuese ka rifituar funksionalitetin e saj si dhe ka theksuar se Reforma në gjyqësor është kërkesë themelore e pranimit në BE. Sidoqoftë, ajo tregon se na pret shumë punë përpara dhe se mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe autoritetet e tjera të Shqipërisë bie një përgjegjësi e veçantë për të mos humbur kohë.

Nuk ka ende një datë fikse se kur Calavera do të marrë postin e ri, por kujtojmë se ajo ka qenë në krye të ONM-së dhe si Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit që prej 2016. Pas emërimit, 4 ditë më parë, Calavera  ka reaguar në "Twitter" e cila ka falënderuar KE-në për sfidën e re profesionale që e pret përpara.

Mesazhet e Genoveva Ruiz Calavera:

2020-a ishte një vit i vështirë - një vit kur qytetarët e Shqipërisë u përballuan me guxim pasojat e një tërmeti shkatërrimtar dhe një pandemi globale.

Bashkimi Evropian qëndroi vendosmërisht pranë qytetarëve të Shqipërisë gjatë këtyre kohëve të vështira. Në konferencën ndërkombëtarë të donatorëve, thirrur nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, BE-ja premtoi mbi 400 milionë euro për rehabilitimin dhe rindërtimin e Shqipërisë. Nga këto, Komisioni Evropian ka vënë ndërkaq në zbatim 115 milionë euro grante për të mbështetur shkollat ​​e prekura dhe trashëgiminë kulturore.

Mbështetja e BE-së përballë pandemisë COVID-19 ka qenë po aq e vendosur që nga fillimi i pandemisë. Për Ballkanin Perëndimor është siguruar një paketë prej 3.3 miliardë eurosh për të ndihmuar për nevojat urgjente shëndetësore dhe për të zbutur pasojat socio-ekonomike, nga të cilat Shqipëria po merr një pjesë të konsiderueshme në mënyra të ndryshme, që shkojnë që nga pajisjet mjekësore dhe mbrojtëse deri te ndihma makro-financiare. Kohët e fundit, u caktuan 70 milionë euro për të mbështetur përhapjen e vaksinave COVID-19 në të gjithë rajonin.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka marrë 1.25 miliardë euro financime nga BE-ja dhe si partner e mik i vërtetë, BE-ja do të vazhdojë të sigurojë mbështetje për qytetarët shqiptarë. Në buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së, kemi caktuar 9 miliardë euro për një Plan të madh Ekonomik dhe Investimesh për Ballkanin Perëndimor, që Komisioneri Várhelyi e ka prezantuar në rajon gjatë vizitës së tij në tetor 2020, për të forcuar më tej partneritetin tonë të qëndrueshëm me Shqipërinë dhe për të përforcuar potencialin e tij transformues.

Në vitin 2020 Shqipëria ka treguar gjithashtu një vendosmëri të jashtëzakonshme për të vazhduar reformat. Vendimi historik i Këshillit të BE-së i 25 marsit 2020 mbi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë ishte më se i merituar. Mes reformave kyçe, nuk mund të mos theksoj sa e rëndësishme është reforma në gjyqësor për konsolidimin e shtetit ligjor - jetike për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe një kërkesë themelore e pranimit në BE.

Në kontekstin e kësaj reforme të paprecedentë, procesi i vetingut vazhdoi të jepte rezultate me më shumë se 330 magjistratë të verifikuar në shkallën e parë, nga të cilët më shumë se 60% u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen. Është gjithashtu shumë pozitive që të gjitha organet e reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit u ngritën dhe kanë rezultuar me hetime të nivelit të lartë, duke krijuar një dinamikë të re në përpjekjet e Shqipërisë për të trajtuar krimin dhe korrupsionin.

Po ashtu, operacionet e përbashkëta me Shtetet Anëtare të BE-së dhe bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e ligjit kanë vazhduar dhe kanë ndihmuar për çmontimin e rrjeteve të krimit të organizuar. Pavarësia e gjyqësorit është forcuar më tej me funksionimin e mirë dhe të vazhdueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë, bazuar në parimet e vetëqeverisjes dhe llogaridhënies. Unë jam, gjithashtu, veçanërisht e kënaqur që Gjykata Kushtetuese ka rifituar funksionalitetin e saj dhe ka nisur seancat dëgjimore për një numër çështjesh thelbësore, duke hapur rrugën për fillimin e negociatave të pranimit.

Është vendimtare që autoritetet dhe qytetarët shqiptarë të vazhdojnë të ecin drejt zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, me vendosmëri të përtërirë dhe punë të palodhur. Me çdo hap përpara në reformë, ne i afrohemi një gjyqësori me të vërtetë të pavarur, i aftë të luftojë në mënyrë efektive korrupsionin dhe të sigurojë që askush të mos jetë mbi ligjin.

Emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese duhet të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë. Duhen miratuar masa efektive për të plotësuar vendet e lira me përparësi të gjyqësorit dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të përparojë me rekrutimin e magjistratëve të rinj. Pengesat për reformën në drejtësi duhet të identifikohen dhe të trajtohen me shpejtësi, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet e pavarura të drejtësisë, që duhet të marrin burime të mjaftueshme dhe mbështetjen e nevojshme administrative për ta kryer në mënyrë efektive mandatin e tyre. Kjo listë e gjërave që duhen bërë, natyrisht që nuk është shteruese. Sidoqoftë, ajo tregon se na pret shumë punë përpara dhe se mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe autoritetet e tjera të Shqipërisë bie një përgjegjësi e veçantë për të mos humbur kohë.

Më vjen keq që gjatë muajve të fundit, institucionet e vetingut, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë dhe stafi i tij kanë qenë shënjestër e një trysnie të paprecedentë dhe të padrejtë, keqinformimit dhe sulmeve e shpifjeve personale. Kjo po u shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje personale atyre që janë më se të përkushtuar për ta ndihmuar Shqipërinë. Këto sulme synojnë ta shmangin reformën dhe të dëmtojnë zbatimin e saj të mëtejshëm. Por në vend që ta dobësojnë vendosmërinë tonë, ato na japin një shtysë të përtërirë, pasi ato vërtetojnë se reforma funksionon dhe se rezultatet e saj kanë nisur të prekin interesat personale dhe individët që kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga një status quo thellësisht e korruptuar.

Siç deklaroi qartë Komisioneri Várhelyi, reforma në drejtësi dhe vetingu i gjyqësorit në Shqipëri janë absolutisht thelbësore dhe nuk mund të shmangen apo të ngadalësohen, pavarësisht trysnisë. Pajtohem plotësisht me këtë deklaratë të fortë. Si Shefe e ONM-së, mesazhi im ka qenë dhe mbetet: ka vetëm një rrugë - të ecim përpara, së bashku, drejt zbatimit të plotë të reformës në drejtësi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë!

Ndërsa nisem drejt një sfide të re profesionale, pas pesë vitesh punë së bashku me partnerët e Ballkanit Perëndimor, krenohem që kam qenë pjesë e këtij udhëtimi. Dëshiroj të përcjell një mesazh lamtumire për qytetarët shqiptarë dhe gjithë homologët në institucionet me të cilët pata kënaqësinë të bashkëpunoj vitet e kaluara, duke ju uruar atyre suksese në ndërtimin e një të ardhmeje evropiane për Shqipërinë.

*Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?