Thuhet se Antonio Canova, një nga skulptorët më të mëdhenj të neoklasicizmit evropian i prezantonte punët e tij përballë komisioneve në errësirë e veç me dritën e një qiriu.
Ky fakt, e të tjerë aspekte të krijimtarisë së artistit, do ta magjepsnin Mimmo Jodice-n, një nga fotografët më të mirë Evropian, sot në moshën 88-vjeçare, çka e nxiti që veprën e skulptorit ta vendosë në fokusin e aparatit të tij...
Në Muzeun Historik Kombëtar, qëndrojnë të ekspozuara deri në 28 shkurt, 52 nga këto shkrepje, si “Bukuri të përjetshme”... ku mediumi i fotografisë me skulpturën dialogojnë, njësoj si e shkuara me të tashmen, e reja me antiken...
Fotografi Mimmo Jodice, rrëfen në një dokumentar, se publiku që vihet përballë imazhit të jetësuar nga ai, ka mundësi të depërtojë në mendimet e tij, në synim e artistit për t’i përcjellë ‘si prej mishi’ këto skulptura të mermerta... të mbështjella me estetik në bardhë e zi.
Nga Afërdita, Kupidi, Heba e të tjera figura mitologjike, por edhe historike si Bonaparti, Jodice i propozon publikut këto fotografi të 17 skulpturave, të fiksuara nga kënde të ndryshme, pa dashur t’i përcjell thjesht një imazh të bukur, por vepra që flasin, thellësi mendimi e emocionesh...