Në shuarjen e Dhimitër Anagnostit ka diçka thellësisht natyrore. U largua me qetësinë e një dielli që zbret ngadalë drejt horizontit, duke lënë pas dritë. Si dielli, edhe njerëzit e shquar nuk ikin përfundimisht ata lindin e rilindin në veprën që kanë krijuar, në trashëgiminë që do të shihet, rishihet, dhe do të flasë e do bëjë njësh Mjeshtrin e madh të ekranit me spektatorin e sotëm dhe atë të nesërm.
Ndjesia e natyrores nuk shfaqet vetëm në ikjen e Mjeshtrit, gjallon në gjithë jetën dhe krijimtarinë që na la trashëgim. Studioi për kinooperator, por krejt natyrshëm u bë regjisor jo thjesht se koha kërkonte filma, por sepse ai vetë ishte një rrëfimtar i lindur, një njeri me dhunti të rralla dhe me një ndjeshmëri që e tejkalonte zanatin.
E njihte kamerën, e njihte imazhin, e njihte gjuhën kinematografike si pak kush. Por mjeshtëria teknike, sado e hollë, mund të të bëjë artizan të çmuar, jo domosdoshmërisht artist.
Rrugën për te regjisori ia lehtësoi natyrshëm shqisa e veçantë për fjalën dhe letërsinë. Për një pjesë të filmave ishte edhe regjisor edhe skenarist. Provoi jo pa rënë në sy të lexuesit romanin dhe tregimin. Njohja e mirë e specifikave të kinemasë, po edhe e mjeshtërisë letrare, e lejoi të merrte tekste të njohura dhe t’i kthente në gjuhë filmike.
E bëri me ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’ të Kadaresë, e bëri me sukses të veçantë me ‘14 vjeç dhëndër’ të Çajupit dhe na la një vepër si Përrallë nga e kaluara, që e tejkalon komedinë në fjalë dhe të fton në një reflektim të thelluar mbi shoqërinë shqiptare.
Ishte rrëfimtar i rrallë. E dëshmonte këtë jo vetëm në rrjedhën e filmit, por edhe në mënyrën si ndërtonte konfliktet dhe rriste tensionin, si u jepte frymë karaktereve, si e linte kamerën të heshtte kur duhej, dhe të fliste kur fjala nuk mjaftonte. Në skenat e dasmave psh, aq të përsëritur në filmat e tij por edhe po aq të freskëta e origjinale, nuk sheh thjesht folklor përjeton përplasje karakteresh, zbërthim psikologjik, shoqëri në lëvizje.
E dinte si rrallëkush se bukuria e jashtme nuk mjafton, nëse nuk u shërben zbulimit të thellësive dhe të thelbsores. Kjo ka të ngjarë të jetë një nga burimet kryesore të suksesit të tij: pa u shkëputur nga sipërfaqja dhe imazhi hynte thellë në historinë, kulturën, identitetin shqiptar.
Tek ‘Gjoleka, biri i Abazit’, ‘Përrallë nga e kaluara’, ‘ Malet me blerim mbuluar’ dhe krijime të tjera, dëshmon se e njihte Shqipërinë jo si dekor, por si substancë. E sillte jo si kartolinë, por si tension, si frymë, si tokë që flet. Malet, fshatrat, dhe rrugët e gurta, të sjella me një kamer mbresëlenëse në disa nga filmat e tij përcjellin ndjesi autenciteti dhe izolimi, që e nxjerr më në pah dramën njerëzore me petk shqipar po me substancë universale.
Për një kohë të shkurtër, rasti e pruri të punoja me të në Ministrinë e Kulturës. Kohë e shkurtër, po mjaft e bollshme për të parë e kuptuar se pas artistit që kisha njohur nga filmat, si themel i themeleve qendronte njeriu mendjehapur, punëtori i palodhur dhe këmbëngulës, qytetari i principeve të pastra. Kjo harmoni mes njeriut dhe artistit është mbase dëshmia më e spikatur e një personalieti të shquar por edhe të rrallë.
Komente
