Lidershipi i PD-së e shpalli me bujë triumfatori faktin që Chris LaCivita do të bënte kryestrategjistin politik të fushtës së tyre. Dhe gjithçka ishte e justifikuar, i pajtuari prej tyre njihet në Amerikë dhe më gjerë si një nga strategjistët më të vlerësuar ndër ata që ideuan fushatën ngadhënjyese të Donald Trump.
Eksport çalaman
Qysh në fillim LaCivita deklaroi se do të eksportonte në Shqipëri MAGA-n (Bëje Amerikën të madhe përsëri), por me një ndryshim të vogël, në vend të Amerikës do vendosej Albania. Pastaj në vend të Trump Berisha dhe, qershia mbi tortë, rivaliteti Berisha - Rama do ravijëzohej si ndeshje mes trampistëve dhe sorosianëve në Shqipëri.
Parë në rrafsh formal strategjik eksportimi i MAGA-s ngjan ide e lavdërueshme. Shqiptarët njihen si një nga kombet më amerikandashëse të globit, rrjedhimisht çdo gjë që vjen nga Amerika ka një lloj sharmi dhe gjeneron tërheqje e pëlqim. Veç kësaj MAGA lidhet pazgjidhshëm me Trump, prototip në rrafsh botëror i liderit të fortë e autoritarist. Historia e shtetit amë ka dëshmuar se ne shqiptarët pranojmë, madje në shumicë edhe pëlqejmë, të kemi në krye prijës të fortë që na janë shfaqur herë si monark, herë si diktator e herë si liderë autoritaristë.
Rrjedha e gjërave dëshmoi se eksportimi i MAGA-s nuk shkoi aq lehtë sa e përfytyronte strategjisti i Trumpit. Problemi i parë doli me përkthimin në shqip të cilësorit ‘great’. Po të thoshje ‘bëje Shqipërinë të madhe përsëri’ shumëkush do ta lidhte me konceptin politiko-historik ‘Shqipëria e madhe’. Të përmendësh, qoftë edhe pa dashje a në nëntekst, rishikim kufijsh gjatë një fushate elektorale është si të thyesh një tabu, madje edhe më e rrezikshme. Hapja e një kapitulli të tillë do t’i bënte më problemore seç janë marrdhëniet e PD me ndërkombëtarët. Në kushte të tilla ‘great’ u soll në shqip me fjalën ‘madhështore’, por edhe kjo përshtatje duket se nuk rezultoi tërësisht e suksesshme.
Cilësori ‘madhështor/e’ është kryesisht fjalë e stilit libror dhe, veç kësaj, rezulton e mbipërdorur nga ligjërimi i dikurshëm totalitar në sintagma të tipit ‘vepra madhështore’, ‘plane madhështore’, ‘fitore madhështore’ etj. etj. Nisur nga përdorime të tilla, një pjesë e mirë e elektoratit gri nga 50 vjeç e sipër dallon në këtë fjalë jo vetëm stilin libror por edhe konotacione të një propagande false: gjithçka pandehej e paraqitej mdhështore, por sa hap e mbyll sytë përfundoi në kolaps total. Të nxisësh idenë se je duke bërë propagandë në kohë fushate elektorale, është si t’i zesh vendin atij të proverbit që vajti e zgjoi shejtanin ndërkohë që ai flinte.
Ngjyrimet librore dhe ato propagandistike të cilësorit ‘madhështore’, në një masë a në tjetrën gjalluan tek emërtimi ‘Aleanca për Shqipërinë madhështore’ dhe, më së paku duket se pengonin një pjesë të elektoratit të krijonte një pëlqim të vetvetishëm e pa rezerva.
Që eksportimi i MAGA-s nuk rezultoi dhe aq i lehtë, e dëshmon edhe fakti se u la në harresë ndajfolja ‘përsëri’. Rrallë a pothuajse hiç fare u shqiptua në ligjërimin zgjedhor slogani i plotë: ‘Ta bëjmë Shqipërinë madhështore përsëri’. Dhe bënë mirë ngaqë një pjesë e konsiderueshme e votuesve do nënqeshnin: po kur paska qenë Shqipëria madhështore?
Kapelja magjike
Problemet që krijoi eksportimi i MAGA-s dëshmojnë se strategjistët politikë e kanë të domosdoshme të njohin gjuhën, zakonet dhe mentalitetin e vendit ku pajtohen e paguhen të punojnë. Kjo puna e mosnjohjes së mentalitetit dhe zakoneve të kujton ndryshimet në imazhin pamor të Berishës gjatë fushatës. LaCivita duket se propozoi t’i vinin liderit në kokë një kapele bejzbolli dhe t’i lidhnin në grykë një gravatë të verdhë, në mënyrë që zgjedhësve t’u kujtonte Trumpin e doemos edhe ngadhënjimin e tij.
Parë në parim kemi të bëjmë me një teknikë të zakonshme dhe shpesh frytdhenëse marrë nga manualet e fushatave elektorale. Imazhi pamor i liderit, kur është i goditur, përbën element shumë ndikues. Kapelja e bejzbollit dhe gravata e verdhë në këtë rast do të ishin thuajse magjike, por gjasat janë se paraqitja vizuale e Berishës si Trump nuk funksioi siç pritej. Dhe arsyeja është e thjeshtë.
Prej gati tri dekadash Sali Berisha ka krijuar në publik imazhin e një burri të fortë, të qendrueshëm dhe kurdoherë serioz, që në çdo rast është vetvetja dhe thuajse kurrë nuk aktron në rolin e dikujt tjetër. Kapelja e bejzbollit dhe gravata e verdhë i iknin dhunshëm këtij imazhi solid e të gjithëpranuar dhe, ç’është më e keqja, fqinjëronin me goditjet nën brez që bënte Rama kur thoshte se Berisha qënkej plakur e paskësh nisur të rridhte, se i fikeshin llambat tre herë ditën etj.
Berberi i Sulltanit
Në këshillat që strategjisti i përtejoqeqnit i ofruaroi PD-së pati dhe nga ato që mbanin erë amatorizëm dhe të shtyjnë të dyshosh se buronin nga një punë nxitimthi me rrenjë në mentalitetin e moçëm kolonialist ‘buono per Albania’. Në fakt këtë mentalitet, përzier me një farë shpotie, e shprehte hapur LaCivita në bisedën e filmuar si video e fshehtë nga disa gazetarë investigues dhe pastaj të botuar tek ‘The Guardian’.
Mbanin erë amatorizëm thuajse të gjitha këshillat që synonin të amortizonin nofkën ‘Buf’ që Rama, duke shpërfillur etikën, e përdori për të thirrur Berishën gjatë gjithë fushatës. Disa vargje të frymëzuara nga poezia ‘The Owl’ e Edward Thomas që LaCivita i postoi në X, mezi i kapërcyen 100 pëlqime dhe afërmendsh që kaluan pa u vënë re nga masa e votuesve. Duhet shtuar se poezia në fjalë është thuajse e harruar dhe, më shumë sesa nga lexuesit e poezisë angleze kujtohet nga studjuesit. Me gjasë LaCivita apo ndonjë nga ndihmësit e tij e kanë kërkuar e gjetur me search. Për këto arsye s’pati thuajse kurrfarë ndikimi, po gjithsesi e mori një vlerë humoristike: të kujtonte atë nxënësin që nxiton të mbarojë detyrat e shtëpisë pavarësisht se si.
Botimi i fotos së një bufi që po kapte një mi, shoqëruar me diçiturën: ‘Kush është bufi e kush është miu’ ngjau si një shashkë që nuk ndezi edhe ngaqë Rama në çast e flaku që të kërciste tek hedhësi, shoqëruar me sqarimin: miu janë fituesit e primareve që Bufi nuk i përfshiu në listat e mbyllura.
Shumë më amator, i dobët dhe i zbehtë shërbeu sqarimi se bufi është kafshë e zgjuar dhe për këto cilësi Athinaja, perëndesha antike e zgjuarsisë e mbante pranë. Problemi me bufin e Athinasë krijohet nga fakti se në klimën e elektrizuar të fushatës elektorale, njeriu më shumë se argumenta logjikë e të tjerrur hollë, parapëlqen gjëra që s’para duan shtjellime akademike po perceptohen shpejt. Pa bërë as gjysmën e rrugës për të shkuar në antikitet e të mendonte për Athinanë, votuesit i shkrepnin në kokë konotacionet negative të fjalës buf në gjuhën e nënës, në shqip të tilla si: ç’i hap sytë si buf, buf kënete, si thonjt e bufit, e di dhe bufi etj. Këto konotoacione negative janë goxha të përdorura në shqipen bisedore, aq të përdorura sa nuk i kanë lënë mundësi të gjorit buf të fitojë ndonj vlerësim pa le më lavdërim.
Parë nga jashtë nuk je në gjendje të thuash nëse këshilla të këtij niveli u morën seriozisht nga njerëzit e marrdhënieve publike në PD. Ka të ngjarë që më shumë sesa për këshilla të tilla, që u blenë me çmim magjie por ngjajnë si marifete, PD e përdori praninë e LaCivitas për të sendërgjuar idenë se tanimë po ndihmohet nga një person që ka lidhje të afërta me Shtëpinë e Bardhë, madje edhe me vet presidentin Trump. Dhe kjo mund të ketë funksionuar me një pjesë të mirë të militantëve, paçka se të sjell në mend historitë e qëmotshme me berberin e Sulltanit.
Komente

Latifi mori 6 miljon dollarë dhe i la NOC RROKUN Sali non gratës.....
PërgjigjuSi eshte kjo puna e berberit te Sulltanit se na mbeti merak...?
Përgjigju