Vladimir Putin dhe Xi Jinping

Opinion

Çapajev Gjokutaj: Tanke dhe transplante

4 Shtator, 21:32| Përditesimi: 4 Shtator, 21:39

  • Share

Dje, një nga videot më virale të ditës u jetësua aksidentalisht. Një mikrofon i harruar hapur gjatë paradës ushtarake në Pekin regjistroi një bisedë private mes Xi Jinping dhe Vladimir Putin, teksa kalonin sheshin Tiananmen, të rrethuar nga raketa, tanke dhe armë “lloje-lloje, si t’i doje”.

Çfarë bisedonin, do pyesni ju? Jo për strategji, aleanca, luftë a paqe. Flisnin për... përjetësinë. Për përjetësinë e mundësuar nga bioteknologjia dhe transplantet e organeve.

Brenda pak orësh, videoja u pa nga 400 milionë njerëz në internet dhe 1.9 miliardë në rrjetet sociale. Vras mendjen: çfarë e ka ushqyer këtë kërshëri globale?

Një zë më thotë se ka luajtur rolin e vet fakti që ishte një bisedë private mes dy prej njerëzve më të fuqishëm në botë, por edhe nga më të fshehurit për publikun. Të shohësh në “avllinë” e të shquarve të tillë është ëndërr e përjetshme e njerëzve radikó si unë e si ti.

Një tjetër mendje më sugjeron se burimi është psikologjik: përballë armëve vdekjeprurëse, vetiu ndjen shtysën të flasësh për jetën dhe përjetësinë. Këtij i thonë të menduar antonimik, dhe psikologët thonë se është spontan, i vetvetishëm e thuajse instinktiv.

Po mbase videoja u bë kaq virale ngaqë mbartte ngarkesa metaforike: dy udhëheqës të moshuar, me etje të dëshmuar për të thyer çdo rregull e për të ndenjur në post sa më gjatë (25 vjet Putini e 13 Xi), patjetër që kanë etje prej pijaniku për jetgjatësinë, madje edhe për përjetësinë këtu dhe tani.

Natyrisht, këtu dhe tani për ata, se për ata shërbejnë me përparësi bioteknologjia dhe transplantet. Për ty e për mua mbetet pjesa më e bollshme, më e fuqishme, më çudibërëse: tanket e raketat, plagët dhe gjaku.

Po etjen e dy të mëdhenjve për jetgjatësinë e përjetësinë mbase e ushqen edhe mosha. Të dy pleq, kanë nisur t’i tremben sosmërisë, dhe frika e vdekjes ka ushqyer në çdo kohë ëndrra të bukura.

Kjo puna e liderëve pleq më sjell në mend faktin se në shumë vende të botës (dhe çfarë vendesh: kur ftohet lehtë njëri, lëngon rëndë gjithë globi) qeverisin meshkuj të moshuar që, me shkeljen e një butoni, mund të zhbëjnë shtete e kontinente. Pleq të fuqishëm e të çmuar dhe ndonjëherë edhe… të rrjedhur.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?