Kandidati i opozitës për Bashkinë e Durrësit Igli Cara denoncoi ndotjen në lumin Erzen duke thënë se ujërat e kontaminuara nga Landfilli i Sharrës derdhen atje. Cara bëri publike edhe disa pamje duke treguar se pas lumit Erzen, ujërat e kontaminuara përfundojnë në Gjirin e Ishmit në Durrës. Ai kërkonte që organet ligjzbatuese të merrnin menjëherë masa.
“Nuk mund ta përcaktoj nivelin e ndotjes dhe rrezikut, por pamjet flasin vetë. Pa harruar dëmin financiar prej miliona eurosh për dërgimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës, që i shkaktohet Bashkisë së Durrësit dhe si rrjedhojë vetë banorëve të qytetit.
Në këto kushte i bëj thirrje publike organeve ligjzbatuese të verifikojnë situatën dhe të merren masa të menjëhershme për të siguruar shëndetin dhe jetën e banorëve, të cilët paguajnë taksa, por jo për t’u helmuar!” shkroi Cara.
Në mbështetje të tij doli kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili shkruan se kjo situatë dëmton shëndetin e qytetarëve me ndotjen e ujërave të lumenjve. Duke i vënë theksin zgjedhjeve të 14 majit dhe kandidaturës së Igli Carës, Meta shkruan se qeveria do e marrë përgjigjen e merituar.
“Solidaritet dhe mbështetje të plotë për shqetësimin e ngritur nga Kryebashkiaku i ardhshëm i Durrësit, z.Igli Cara për Ujërat e kontaminuara të Landfillit të Sharrës, që përfundojnë në Erzen dhe më pas në Gjirin e Ishmit në Durrës.
Ky problem është denoncuar vazhdimisht edhe më parë nga komuniteti i Ishmit dhe Shoqatat Mjedisore.
Kjo situatë skandaloze ku Bashkia e Veliajt grabit qindra milion euro për inceneratorë, që nuk ekzistojnë dhe Bashkia e Durrësit, që shpërdoron miliona euro për të çuar plehrat në Landfillin e Tiranës duke dëmtuar edhe shëndetin e qytetarëve me ndotjen e ujërave të lumenjve, do ta marrin përgjigjen e merituar më 14 maj kur pushteti lokal do t'u kthehet qytetarëve. Qytetarët janë të parët!”, shkroi Meta.