Bota

Armë për Kievin, sanksione ndaj Moskës! Trump kritikon Putinin: Është i sjellshëm, por po flet budallallëqe! Kremlini: Po zgjat luftën

9 Korrik, 07:03| Përditesimi: 9 Korrik, 14:16

  • Share

Shtetet e Bashkuara rifillojnë furnizimet me armë për Ukrainën, me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump, i cili korrigjon dhe mohon vendimin e mëparshëm të Pentagonit. Madje, kreu i Shtëpisë së Bardhë po “e konsideron seriozisht” miratimin e sanksioneve sekondare ndaj Rusisë, për të ndëshkuar Putinin që “thotë një mori budalliqesh” dhe vazhdon të injorojë propozimin e tij për armëpushim.

Trump mbetet skeptik për mbrojtjen e Kievit, të cilën nuk e sheh si luftën e tij, por si përgjegjësi të europianëve. Megjithatë, nëse këto vendime zbatohen realisht, ato mund të shënojnë një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e presidentit, i cili është lodhur nga konflikti dhe vendosur t’i japë fund, edhe nëse kjo do të thotë një përballje e drejtpërdrejtë me Putinin dhe Moskën.

Javën e kaluar, Pentagoni kishte ndalur dërgimin e armëve, duke e justifikuar me shqetësimin për rezervat e rëna të arsenalit amerikan, të nevojshëm për përballje të mundshme, veçanërisht me Kinën. U pezulluan dhjetëra raketa interceptuese PAC-3 për sistemet Patriot, 250 raketa GMLRS për M270 MLRS dhe HIMARS, mijëra predha artilerie 155 mm, dhjetëra raketa antitank Stinger, raketa tokë-ajër AIM-7, 100 raketa Hellfire dhe qindra hedhësa granatash AIM. Një goditje e rëndë për Ukrainën, që mbeti e pambrojtur në mes të ofensivës verore të Putinit.

Më pas u zbulua se vendimi ishte marrë nga drejtori politik i Pentagonit, Elbridge Colby, skeptik i kahershëm ndaj ndihmës për Ukrainën dhe përqendruar tek kërcënimi kinez. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e kishte miratuar duke menduar se do t’i pëlqente Trumpit, pa e informuar atë apo Sekretarin e Shtetit Rubio. Kur Trump mësoi për këtë, u zemërua ashpër.

Gjatë një bisede më 4 korrik me Zelenskyn, ai i tha se nuk kishte dijeni për vendimin, nuk e miratonte dhe do të rifillonte furnizimet. Më 8 korrik, gjatë darkës me Netanyahu, e përsëriti publikisht. Pak më vonë, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, publikoi një deklaratë: “Me urdhër të presidentit, Departamenti i Mbrojtjes po dërgon armë të tjera mbrojtëse në Ukrainë për të garantuar vetëmbrojtjen, ndërsa punojmë për një paqe të qëndrueshme”.

Përplasja me Pentagonin ishte tashmë publike, edhe pse ushtria amerikane mbetet e shqetësuar për rezervat, që sipas The Guardian, kanë rënë në 25% të nevojave minimale të SHBA. Trump, megjithatë, dëshiron të dërgojë të paktën 10 raketa Patriot në Kiev dhe kërkon ndihmën e aleatëve europianë, si Gjermania.

Kremlini reagoi duke thënë se “dërgimi i armëve vetëm sa zgjat luftën”, ndërsa ish-presidenti Medvedev deklaroi se “Trump luhatet, ne duhet të fokusohemi në fitoren në Ukrainë”.

Dje, gjatë mbledhjes së kabinetit, Trump theksoi se Putini “thotë një mori budallallëqesh”. “Është gjithmonë shumë i sjellshëm, por kjo nuk do të thotë asgjë”. Ai konfirmoi rifillimin e furnizimeve: “Duam t’i japim Ukrainës armë mbrojtëse sepse Putini nuk po i trajton mirë qeniet njerëzore. Po vret shumë njerëz”.

Trump po shqyrton gjithashtu me kujdes një projektligj të Senatit, për sanksione të reja ndaj Rusisë, që nuk i vë menjëherë në fuqi, por i jep presidentit të drejtën t’i aplikojë kur të dëshirojë — një sinjal i qartë për Putinin dhe një ndryshim i mundshëm strategjik./La Repubblica

 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Igor: 09/07/2025 13:05

    Nuk eshte Putini qe zgjat luften por fajtor esht perendimi qe e shtyn Ukrainen qe ta vazhdoj luften dhe dote ndihmohet me dergesa armesh ,por ky Trapi nuk di neser se cka tha sot edhe nuk i intereson fundi i luftes por shitja e armeve kjo esht e verteta.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?