Carlo Gustav Jung (1875-1961) nuk ka nevojë për prezantime. I kushtoi jetën e tij të gjatë studimit të psikës njerëzore me zbulime spektakolare dhe sot është një prej baballarëve të psikologjisë analitike botërore. Deri pak ditë nga ndarja nga jeta u përpoq të jepte mesazhe e të deshifronte simbole përmes ëndrrave dhe mendjes njerëzore. U lodh së thëni se logjika, njeriu me ndërgjegje është vetëm një pjesëz e vogël, moderne, në evolucionin mijëravjeçar. Se Hijet dhe Nënvetëdija janë “pjesa e luanit” në secilin individ dhe nëse nuk harmonizohen, nëse nuk punohet që të njihen dhe të mos nënvlehtësohen, mund të shkaktojnë përherë dëme të pallogaritshme në shoqërinë njerëzore. Libri “Njeriu dhe simbolet e tij” , firmosur dhe nga 3 bashkëpunëtorët më të ngushtë, është një përpjekje e fundit për të tërhequr vëmendjen ndaj misterit njerëzor në aftësinë e paimagjinueshme që ka për shkatërrim. “...Në epokën tonë është treguar tashmë çfarë ndodh nëse hapen portat e nëndheshme, - shkruan Jung në libër mes të tjerave. - Monstruozitete, që askush nuk kishte mundur as të imagjinonte në atmosferën idilike të dhjetëvjeçarit të parë të 1900-s, ndodhën dhe tronditën botën mbarë. Që atëherë globi ka mbetur i mbërthyer nga një gjëndje skizofrenie. Jo vetëm Gjermania e civilizuar lëshoi instiktet e veta të tmerrshme primitive, por edhe Rusia u mbyt prej tyre, Afrika u dogj në flakë. Nuk kemi pse habitemi që Perëndimi ndjehet i trazuar.
Njeriu modern nuk e kupton se sa “racionalizmi” (që ka shkatërruar aftësitë e tij për t’ju përgjigjur simboleve dhe ideve të mbinatyrshme) e ka vënë nën pushtetin e botës së nëndheshme të psikës. Është çliruar (ose beson se është çliruar) nga supersticioni, por në këtë proces ka humbur vlerat e veta shpirtërore në një masë shumë të rrezikshme. Tradita e tij morale dhe shpirtërore është thërrmuar dhe tani njerëzimi mbarë paguan çmimin e kësaj mbytjeje në çorientim dhe shkëputje nga realiteti, të pranishme kudo...”, shkruante pak para se të vdiste, në vitin 1961.
Nuk është e qartë se sa ndërkohë, pas atij qershori, kur Jung kaloi në botën e përtejme, e deri më sot, Njerëzimi ka mundur të njohë, të punojë me Atë, botën e panjohur të psikës sonë. Një gjë është e qartë për të gjithë: Po ndodhin gjëra që ngjajnë me “hapjen e portave të botës së nëndheshme”, nëse duam të citojmë edhe sot e kësaj dite, të shqetësuarin Carl Gustav Jung.
Komente
