Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka marrë një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite. Klubi i Al-Hilal i ka vënë në tavolinë një kontratë prej plot 150 milionë eurosh për tre sezonet e ardhshme, duke shënuar një tjetër përpjekje të madhe të shtetit saudit për të sjellë emra të mëdhenj të futbollit në kampionatin e tyre.
Sipas mediave spanjolle, përfshirë Relevo, oferta ka ardhur pas dështimit të marrëveshjes së Ancelottit me kombëtaren e Brazilit. Negociatat me CBF-në (Konfederatën Braziliane të Futbollit) kishin avancuar ndjeshëm, por një pengesë madhore u shfaq në momentin e fundit; trajneri italian nuk mund të largohej nga Reali para përfundimit të Kupës së Botës për Klube, çka ishte një kusht kyç për brazilianët.
Refuzimi i Real Madridit për ta liruar trajnerin pa kompensim financiar, si dhe angazhimet afatshkurtra të klubit, e bënë të pamundur finalizimin e marrëveshjes me Brazilin.
Në këtë kontekst, Arabia Saudite ka hyrë fuqishëm në lojë, duke i ofruar Ancelottit jo vetëm një sfidë të re, por edhe një kontratë që do ta bënte trajnerin më të paguar në historinë e futbollit.
E ardhmja e Ancelottit mbetet e paqartë, ndërsa te Real Madridi po rritet ndjeshëm tensioni për sezonin e ardhshëm. A do të tundojë paratë saudite trajnerin legjendar apo do të zgjedhë të qëndrojë në “Bernabeu”? Kjo mbetet për t’u parë në javët që vijnë.
Komente
