Që prej vitit 1991 kam ndjekur zgjedhjet në Shqipëri, të gjitha pa përjashtim, si ato politike ashtu edhe ato vendore, dhe nuk kam dëgjuar që Sali Berisha të ketë pranuar, as edhe një herë të vetme, ndonjë përgjegjësi për humbjet e pësuara. Pikërisht ai, që vetëquhet "babai i demokracisë shqiptare", nuk ka shqiptuar kurrë as fjalën magjike që pason shpalljen e rezultateve në çdo demokraci liberale: urime fituesve. Kurrë. Përkundrazi, pas çdo disfate gjatë 34 viteve të cilat jam dëshmitar, ka denoncuar me përpikmëri, vetëm plane groteske manipulimesh dhe mashtrimesh që përshin akuza, kërcënime, fyerje, gënjeshtra dhe shpifje. Dhe çdo herë përsërit: "Manipulimet dhe krimet zgjedhore kanë qenë këtë herë më të mëdha se ndonjëherë tjetër." Pas denoncimeve fillon si gjithmonë mosnjohja e rezultateve, kërkesa për rinumërim, bojkotet me komisionerë dhe protesta. Si ajo që ka organizuar për datën 16 maj, kur në Shqipëri do të zhvillohet një konferencë ndërkombëtare dhe do të vjinë të gjithë liderët e Bashikimit Europian: një tjetër përpjekje për të njollosur imazhin e popullit shqiptar edhe jashtë kufirit (pavarësisht faktit se edhe kjo protestë do të dështojë si gjithë të tjerat). Të gjithë e dinë dhe e parashikojnë kollaj çdo fjali dhe planet e këtij njeriu, dhe këtë e dinë shumë mirë edhe komuniteti ndërkombëtar, duke i bërë gjithë këto reagime të dëshpëruara pa asnjë vlerë dhe asnjë impakt. Eshtë e ditur botërisht: të vetmet zgjedhje që Sali Berisha i konsideron legjitime, janë ato që fiton ai vetë.
Berisha nuk i jeton sfidat elektorale si një garë, sepse edhe në fund të një gare zakonisht fituesit dhe të mundurit i japin dorë njëri-tjetrit. Ai i jeton si një luftë, si një çështje nderi. Për të, çdo disfatë elektorale është një poshtërim personal i padrejtë, dhe në kulturën arkaike që ai vijon të përfaqësojë, për të mbrojtur nderin duhet të paguash çfarëdo çmimi. Përshirë jo vetëm imazhin e vendit, por edhe shkatërrimin e partisë që e ka ndjekur në betejë, një parti që Berisha e trajton si ushtri personale shërbëtorësh dhe jo si një prej shtyllave të paprekshme të pluralizmit.
Nëse nuk respekton njerëzit e vet, natyrisht nuk respekton as të tjerët. Kundërsharët politikë ai nuk i konsideron kundërsharë, por armiq. I bindur se ka pësuar një "poshtërim", pas çdo disfate Sali Berisha reagon gjithnjë në të njëjtën mënyrë: duke u përpjekur nga ana e tij të poshtërojë fajtorët, sepse edhe hakmarrja i përket kulturës së tij. Problemi është se në listën e armiqve Berisha nuk përshin vetëm liderët e partive fituese, por edhe të gjithë qytetarët që nuk e kanë votuar. Madje, janë pikërisht ata të parët që duhen poshtëruar. Duke e përjashtuar apriori mundësinë që të ketë humbur për fajin e vet, ose se kundërsharët janë votuar për meritat e tyre, Berisha i konsideron të gjithë votuesit si kope delesh pa identitet, gati të binden ndaj urdhrave të kasapit të vet. Pra sipas Sali Berishës dhe qehallarëve të tij, kush nuk voton Partinë Demokratike është një idiot që ka besuar te gënjeshtrat e Ramës, është një frikacak që trembet nga bandat e Ramës, është një i endacak që shpreson te pensionet e Ramës, është një injorant që beson premtimet e Ramës, është një katundar që joshet nga rrugët e Ramës, dhe natyrisht është i korruptuar sepse blihet me paratë e Ramës. Pretendime qesharake, pasi brenda dhomave të votimeve vota është e fshehtë dhe gjithsecili mund të votojë sipas dëshirës, duke shmangur çdo lloj presioni apo premtimesh, pasi edhe skedat janë anonime! Ndërkohë, meqë ka edhe parti të tjera përveç PS-së së Edi Ramës, të gjithë ata që i kanë votuar ato, sipas Sali Berishës, janë edhe analfabetë sepse as nuk kanë kuptuar se kë kanë votuar.
Të përçmosh në këtë mënyrë mbi 800.000 shqiptarë që më 11 maj kanë shkuar nëpër qendra votimi por nuk kanë votuar Partinë Demokratike, është garancia më e mirë për të siguruar humbjen tjeter në zgjiedhjet e ardhshme elektorale.
Që Sali Berisha gënjen kur flet për manipulime elektorale është e qartë nga shifrat e rezultateve. Partia Socialiste nuk i ka vjedhur asnjë votë Partisë Demokratike siç Berisha vazhdon të thotë duke mashtruar prapë militantët e vet, por pak a shumë ka ruajtur votat që gjithmonë ka pasur. Sipas rezultateve paraprake të 11 majit, Partia Socialiste ka marrë rreth 780.000 vota, kundrejt 768.000 në vitin 2021.
Rënia e vërtetë e votave është ajo e Partisë Demokratike, që më 11 maj, së bashku me të gjithë koalicionin, ka marrë vetëm 510.000 vota, kundrejt 622.000 votave që kishte marrë PD (pa aleatët) në 2021 apo 529.000 votave partiake që i solli humbjen në vitin 2013. Pra, Berisha ka thyer çdo rekord të disfatës elektorale, duke humbur në 4 vitet të paktën 110.000 vota në krahasim me Lulzim Bashën (ose 150.000 nëse përjashtojmë nga llogaria votat të ardhura nga diaspora), të cilin partia e tij e kriminalizoi si shkaktarin e çdo katastrofe, një rrenë që korrespondon (deri tani) me 13 mandate më pak. Një pjesë e këtyre votave ka shkuar te ish-aleatët si Agron Shehaj, Lulzim Basha ose Enkelejd Alibeaj, të cilët kanë marrë mbi 70.000 vota, që normalisht do të ishin vota të PD nëse Berisha do të kishte ditur t’i mbante në krah, ndërkohë që kontributi i aleatëve të rinj të ''koalicionit madhështor'' që ka ndërtuar, ka qenë i papërfillshëm. Pjesa tjetër e votave të humbura është pasqyra e dështimit personal të Sali Berishës, e numrit të madh të ish-votuesve që e kanë braktisur duke përfshirë ato në diasporë, dhe e elektoratit gri që vijon të qëndrojë larg figurës dhe historisë së tij personale të mbushur me paligjshmëri, dhunë, abuzim me pushtetin, gabime politike dhe shkelje të rregullave demokratike.
Partia Demokratike ka humbur votues vetëm sepse i ka tradhtuar, duke ia dorëzuar vetë veten me pranga në duar Sali Berishës, dhe jo sepse dikush ja ka marrë. Edi Rama, në të kundërt, ka ditur të ruajë dhe të bindë elektoratin e tij (ashtu siç ka ndodhur tradicionalisht me zgjedhësit socialistë), por pikërisht këtë Berisha e quan manipulim dhe mashtrim.
Që Sali Berisha gënjen kur flet për manipulime zgjedhore, është e dukshme edhe nga pamjet e mitingjeve të tij, të cilat nuk kanë arritur kurrë të mbledhin as një të tretën e mbështetësve që mobilizonte Lulzim Basha, edhe pse ai dhe propaganda e tij i paraqesnin gjithmonë si "protestat më madhështore... historike... pa precedent". Paralajmërimi i asaj që do të ndodhte lexohej qartë edhe në shikueshmërinë e arritur në Facebook gjatë fushatës deri te nata e mitingjeve të fundit, kur Edi Rama ndiqej nga 32.000 vetë dhe Sali Berisha vetëm nga 1.600!! Të paktën Facebook nuk mund të akuzohet se manipulohet.
Dhe pastaj sondazhet: pesë prej televizioneve më të rëndësishme të vendit, me pronësi dhe orientime politike të ndryshme, kanë transmetuar parashikimet elektorale të realizuara nga pesë institute nga më të njohura ndërkombëtare, dhe të gjithë, pa përjashtim, kanë parashikuar me javë humbjen e thellë të Partisë Demokratike dhe fitoren po aq të qartë të Partisë Socialiste. Parashikime që u konfirmuan nga rezultati i 11 majit. Asnjë sondazh në botë nuk ka mundësi të parashikojë edhe manipulime. Televizioni i vetëm që nuk transmetoi asnjë sondazh në fakt (pasi asnjë sondazhist nuk ishte i gatshëm të gënjejë), ishte Syri Tv, organ i propagandës së familjes Berisha, i vetmi lider politik në vend që zotëron një grup mediatik personal. Një rrethanë unike, të cilën çuditërisht asnjë vëzhgues i OSBE-ODIHR nuk pati guximin ta kontestonte kur fliste për pavarësinë editoriale të mediave të tjera, megjithëse bëhet fjalë qartazi për një shkelje ligjore.
Pra, Sali Berisha dhe kupola e Partisë Demokratike e kanë ditur me siguri absolute që më 11 maj do të humbnin. E kuptoj që këtë e kanë fshehur tek zgjedhësit duke i mashtruar, por të shtiren tani edhe të skandalizuar është e turpshme.
Berisha ka mohuar legjitimitetin e atyre sondazheve ndërkombëtare duke i quajtur “të shitura” (ashtu siç etiketon gazetarët e lirë dhe votuesit socialistë), për të besuar më pas një “exit poll” qesharak, të realizuar online nga Syri në ditën e votimit, që natyrisht i jepte Partisë Demokratike një ''fitore madhështore''. Mund të duket si një barcaletë cimpekiste, por nuk është kështu, sepse ajo gënjeshtër shërbente për të legjitimuar më pas denoncimin e manipulimit. Është e njëjta taktikë e përdorur në vitin 1996, kur një gazetë e familjes Berisha njoftoi në mesditë rezultatet e exit poll-it të saj, natyrisht në favor të PD-së: vetëm se atëherë mashtrimi shërbente për të justifikuar manipulimin e rezultateve që Berisha ishte gati të kryente pak orë më vonë. Dhe në fakt, e ka bërë në përmasa vërtet madhështore. Duhet të mjaftojë ky precedent i njohur në gjithë Europën për t’i hequr përgjithmonë të drejtën për të akuzuar të tjerët për manipulime. Por është i njëjti paradoks grotesk se ky njeri i akuzur për korrupsioni nga SPAK, ka ndërtuar jetën dhe fushatat duke akuzuar për korrupsion gjithë të tjerët.
Nga viti 1996 e deri më sot, Sali Berisha dhe kultura e tij joliberale nuk kanë ndryshuar, por kanë ndryshuar shqiptarët. Tani ata e njohin dhe e njohin mirë, dhe pikërisht për këtë nuk e votojnë më. Arsyeja dhe faji i disfatës së tij të radhës është thjesht kjo pse nuk ka asnjë manipulim në botë që në një vend liberal mund të përmbysë vullnetin e popullit. Bashkimi Europian dhe liderat e saj e kanë përshëndetur fitoren e Edi Ramës duke i njohur kështu botërisht edhe rezultatet e zgjedhjeve , ndërkohë që vëzhguesit e OSBE-ODIHR, pasi kanë mbushur si gjithmonë raportin paraprak me denoncime të dëgjuara nga përfaqësues të opozitës pa asnjë verifikim, do të ulen, siç kanë bërë cdo herë, dhe me qetësi do të listojnë në raportin përfundimtar thjesht sygjerime për përmirësime që sigurisht i duhen sistemit ligjor shqiptar. Të njëjtën gjë e bëjnë në çdo zgjedhje edhe në vendet e Bashkimit Europian, duke përfshirë Italinë. Është detyrë e tyre, asgjë personale.
Por tragjedia e vërtetë, që asnjë raport ndërkombëtar nuk ka mundësi ta shërojë, janë kushtet ku është katandisur opozita shqiptare, e marrë peng nga një grup kamikazësh me në krye Sali Berishën, që i mban opozitarët larg nga qendrat e votimit sepse askush nuk e do. Nëse Partia Demokratike nuk e largon urgjentisht Sali Berishën (siç e parashikon edhe statuti) dhe nëse grupi i saj drejtues nuk reformohet nga e para, duke përjashtuar klanin e dhunuesve, manipuluesve dhe gënjeshtarëve që e kanë kontaminuar siç bëjnë viruset në një trup të sëmurë, atëherë le të përgatitemi që tani edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe t’i urojmë që sot fituesit, sepse tashmë dihet sërish kush do të jetë ai. Edhe duke e ndryshuar gjithë kupolën, prapë nuk është e sigurt që Partia Demokratike mund të ringjallet pas njollës së zezë me të cilat Sali Berisha e ka vulosur. Por të paktën do kishte një shpresë, që sot për sot nuk eksizton më.
Komente

BRILANTE. Si gjithmone nga pena e nje gazetari me pervoje dhe profesionist! Te lumte z.Bollino!
PërgjigjuZ.Bollino keni bere nje pune te shkelqyer per tja bere te qarte opinionit publik se kush eshte sali berisha
Përgjigju